E Diel, 1 Nëntor 2026

Totozani kërkon më shumë fonde për Avokatin e Popullit

TIRANË-Avokati i Popullit, Igli Totozani, kërkoi sot më shumë fonde nga ana e qeverisë për institucionin e Avokatit të Popullit.
Gjatë prezantimit të praktikës së nisur sot të “dyerve të hapura", me praninë e përfaqësuesve të komunitetit të medias, Avokati i Popullit prezantoi problematikën e lidhur me pamjaftueshmërinë e fondeve buxhetore për të përballuar fluksin në rritje të ankesave të qytetarëve pranë këtij institucioni.

Vetëm në muajt e parë të këtij viti, numri i ankesave është sa dyfishi i ankesave të regjistruara gjatë gjithë vitit të kaluar dhe duke publikuar këtë nivel në rritje të nevojës për asistencë të qytetarëve, Avokati i Popullit është shprehur se fondet në drejtim të shërbimeve janë të kufizuara.

Institucioni i Avokatit të Popullit ka në dispozicion vetëm 2 automjete dhe një fond të limituar për të paguar shërbimet e punonjësve, situatë e cila bie ndesh me fluksin e ankesave dhe qëllimet e institucionit për t’i trajtuar ato plotësisht dhe në mënyrë shterruese.

Për shkak të këtyre mungesave financiare, punonjësit e institucionit të Avokatit të Popullit e kanë patur të vështirë, veçanërisht në përballimin e atyre ankesave të qytetarëve që kërkojnë monitorime konkrete në vendngjarje.

Në dokumentin konfidencial të Bashkimit Europian, i cili u bë publik në media disa ditë më parë, vlerësohej puna e Avokatit të Popullit që në fillim të mandatit të tij, por gjithashtu bëhej thirrje për qeverinë për të shtuar buxhetin e këtij institucioni.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›