Tottenham-Everton, shtyhet nga trazirat

Ndeshja e Premierligës mes Tottenhamit dhe Evertonin e caktuar të zhvillohet të shtunën është shtyrë për shkak të trazirave në Londër. Megjithëse policia të mërkurën në mbrëmje mori nën kontroll qytetin e Londrës, në ndërkohë dhuna u përhap në qytete të tjera britanike.
Shefi ekzekutiv i Premierligës, Richard Scudamore ka thënë se është “optimist” se nëntë ndeshjet e tjera të xhiros së parë të elitës së futbollit anglez do të zhvillohen. Ndërsa, kryeministri David Cameron ka sugjeruar se ndeshjet mund të fillojnë më herët për t’i ndihmuar policisë. “Ndeshjet e tjera në Londër duhet të zhvillohen sipas orarit, por ndoshta më herët gjatë ditës”, tha Cameron, i cili shtoi se i takon “Premierligës dhe policisë” të marrë vendim.
Liga konfirmoi të shtunën se të gjitha ndeshjet e kategorive të ulëta në kryeqytet dhe më gjerë do të zhvillohen sipas orarit këtë fundjavë.