E Shtunë, 31 Tetor 2026

Augsburgu nuk e angazhon Vajushin

Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 12:25

Armando Vajushi nuk do të luajë për Augsburgun sezonin e ardhshëm. Klubi gjerman ka vendosur të mos e angazhojë mesfushorin shqiptar, edhe pse ai shfaqi lojë të mirë në ndeshjen miqësore ndaj Greuther Furthit, ku asistoi në golin e dytë, në fitoren 2:0.

Këtë e ka bërë të ditur trajneri i Augsburgut, Jos Luhukay. “Vajushi pa dyshim ka potencial dhe perspektivë, por neve na nevojiten lojtarë që na çojnë përpara tash. Futbollisti ka talent, por ende nuk e ka kualitetin për të na ndihmuar neve menjëherë”, deklaroi trajneri Luhukay për uebfaqen gjermane augsburger-allgemeine.de.

Vetëm një ditë më parë, menaxheri i përgjithshëm i Augsburgut, Andreas Rettig, thoshte se klubi është i kënaqur me kualitetin e lojtarit, duke mos e përjashtuar mundësinë e transferimit të tij. “Mund ta transferojmë vetëm nëse koordinohemi me Kolnin. Ky ekip e i mban të drejtat primare për ta blerë”, thoshte Rettig.

Sidoqoftë, 19-vjeçari, i cili së fundmi luajti për Vllazninë e Shkodrës, është kthyer në Koln, i cili pritet të deklarohet nëse dëshiron ta përfshijë Vajushin në planet e tij. Në të kundërtën, futbollisti shqiptar do të duhet të kthehet te Vllaznia për të nisur sezonin e ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›