Organizohen për titull
Kur ka mbetur edhe një javë deri te fillimi i garave në Superligën e Kosovës në futboll, Trepça ’89 është riorganizuar mirë për edicionin e ri.
Në fakt, klubi mitrovicas tashmë është bërë me një kryesi të re, anëtarët e së cilës synojnë që Trepçën ’89 ta stolisin me titullin e kampionit.
Në fakt, shumë nga anëtarët e kësaj kryesie edhe në të kaluarën e udhëhiqnin Trepçën ’89, derisa së fundmi ishin pjesë e rivalit lokal të këtij klubi, Trepçës, me të cilin ekip para dy vitesh e kishin fituar titullin e kampionit të Kosovës.
Kështu, Ilir Bojku është emëruar kryetar i ri i Trepçës ’89, derisa kryetari i deritanishëm i këtij klubi, Abedin Zeka do të vazhdojë të mbetet pjesë e ‘Xehetarëve’, por në pozitën e menaxherit. Ndërsa, Sabri Brahimi është zgjedhur drejtor sportiv.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Brahimi për Express. Sipas tij, anëtarë të tjerë të Kryesisë janë emëruar këta persona: Musa Broja, Xhevat Vallqi, Arsim Islami, Rrustem Pllana, Agim Haxha, Lulzim Ymeri, Xhevdet Berami dhe Sabri Brahimi. Kësaj kryesie pritet t’i bashkohen edhe Eroll Vitaku e Sejdi Brahimi.
Sipas drejtorit sportiv, skuadra bardhegjelbër në sezonin e ri do të luftojë për t’u stolisur me titullin e kampionit.
“Kryesia e re është bërë të martën mbrëma. Objektivi i kësaj kryesie është që në edicionin e ri Trepça ’89 të ngjitet sa më lart në tabelën e klasifikimit. Pra, Trepça ’89 në sezonin e ri do të jetë pjesë e luftës me ekipet e tjera për titullin e kampionit të Kosovës”, deklaroi Brahimi për Express.
Kryesia e re nuk erdhi duarthatë në stadiumin ‘Riza Lushta’, pasi në skuadër menjëherë e sollën një përforcim mjaft cilësor. Bëhet fjalë për reprezentuesin kosovar, Ilir Nallbani, i cili së fundmi ka luajtur për skuadrën e Vllaznisë.
Por, Nallbani nuk do të jetë përforcimi i fundit për Trepçën ’89. Brahimi paralajmëron edhe transferime të tjera.
“Jemi në bisedime edhe me një sulmues tjetër nga Shqipëria. Po ashtu, do ta bëjmë ndonjë përforcim për mesin e fushës me ndonjë futbollist nga Kosova. Sigurisht se ndonjë lojtar do ta lirojmë nga ekipi dhe kështu duam ta bëjmë një skuadër të fortë dhe konkurruese”, u shpreh Brahimi.
Para Nallbanit, mitrovicasit janë përforcuar edhe me Florent Sejdiun, Visar Shkupollin, Ilir Izmakun e Liridon Kukajn.
Brahimi tregoi se trajneri i skuadrës, Gani Sejdiu e ka mbështetjen e plotë edhe të Kryesisë së re.
Kështu, Trepça ’89 në sezonin e ri që nis më 20 gusht, pritet ta nxehë luftën për titullin e kampionit, të cilin trofe e synojnë edhe Hysi, Prishtina, Vëllaznimi, por ndoshta edhe Trepça e Besa.