E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja në grevë

Ndeshjet e dy ligave kryesore të futbollit spanjoll rrezikojnë të shtyhen pasi unioni i futbollistëve ka paralajmëruar se do të hyjnë në grevë. Futbollistët kërkojnë një fond të garantuar të pagës që do t’u jepej atyre në rast se klubet u mbeten borxh. Ndeshjet e dy xhirove të para janë në rrezik. Sezoni 2011/2012 është caktuar të fillojë më 20-21 gusht. Nga Express më 12 gusht 2011 në ora 09:17

Futbollistët nga divizioni i parë dhe i dytë i futbollit spanjoll do të hyjnë në grevë për dy xhirot e para të sezonit 2011/2012 ka njoftuar unioni i futbollistëve (AFE) të enjten.

“Jemi unanimë dhe të përcaktuar në vendimin tonë për të hyrë në grevë”, tha presidenti i AFE-s, Luis Rubiales në një konferencë për shtyp.

“Liga nuk do të fillojë deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re (mes ligës dhe futbollistëve)” shtoi ai. Thelbi i mospajtimit është kërkesa e unionit për një fond më të madh emergjent për t’i ndihmuar futbollistët që nuk paguhen nga klubet që janë në administrim financiar. La Liga dhe vizioni i dytë janë caktuar të fillojnë në fundjavën e 20-21 gushtit.

AFE u përkrah nga mbi 100 futbollistë në një hotel në Madrid ku u zhvillua ngjarja. Reprezentuesit spanjoll, Iker Casillas dhe Carles Puyol ishin në mesin e futbollistëve, ndërsa prezentë ishin edhe përfaqësues të unionit nga Franca, Gjermania dhe Italia, të cilët shprehën përkrahjen e tyre. Rubiales theksoi se futbollistët kanë negociuar me ligën spanjolle (LFP) rreth masave mbrojtëse për futbollistët që qëndrojnë në ligat e tjera në Evropë, por që nuk e kanë futbollistët spanjollë.

“Është për t’u ankuar. Ashtu siç është situata, tani jemi në fund të renditjes në Evropë. Ne nuk duam më shumë para, ne duam që klubet të respektojnë kontratat që nënshkruajnë me futbollistët. Ne nuk duam masa lehtësuese. Kemi dhënë propozime që ekzistojnë në Holandë, Gjermani, Francë dhe Angli. Në këto shtete, nëse një klub tregon se nuk mund të paguajë futbollistët e tij, klubi nuk garon. Ne kemi kërkuar që futbollistët që nuk kanë marrë paga për më tepër se tre muaj të mund të shkëputin kontratat e tyre. Dukej se kishim arritur marrëveshje, por më pas është lënë anash”, u shpreh ai.

Rubiales tha se pavarësisht negociatave intensive, LFP-i ka bërë një propozim në fillim të muajit gusht, të cilin futbollistët e refuzuan.

“Mjaft është mjaft. Kjo nuk do të thotë se jemi duke refuzuar të negociojmë më tepër. Ne do të bëjmë atë për të mirë të futbollistëve dhe futbollit në përgjithësi. Por, liga nuk do të fillojë deri kur të nënshkruhet një marrëveshje e re kolektive”, përfundoi Rubiales.

Shtyrje u paralajmëruan edhe sezonin e kaluar, por nuk ndodhën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›