Trabzonspor - Vllaznia, gjyqtaret holandeze dhe irlandeze

Ndërkohë që në shtypin kroat ka plasur zhurma për një trukim të mundshëm të ndeshjes Vllaznia-NK Zagreb (1-0), që solli edhe eliminimin e skuadrës kroate në turin e parë të Kupës Interoto, formacioni shkodran vazhdon me intensitet përgatitjet për sfidat e e dyfishta të turit të dytë me ekipin turk Trabzonspor, skuadër që e mbyll kampionatin në vend të katërt (52 pikë, 34 ndeshje), pas tri ekipeve më të mëdha të Turqisë, Fenerbahces (kampione, 70 pikë), Beshiktashit (61) dhe Gallatasarijit (56). Trabzonspor ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare ku ka arritur të mundë ekipe të mëdha si Interi, Barcelona, Liverpuli.
Gjyqtarët e takimeve
Takimi i parë do të luhet në stadiumin "Hyseyin Avni Aker" në Trabzon, më 8 korrik (me orën lokale 19:00, me orën tonë 18:00). UEFA përcaktoi dhe gjyqtarët e takimit të cilët janë nga Holanda.
Kryesor është Bas Nijhuis, me ndihmës Nik Siebert dhe J.F. Hans Olde Olthof. Gjyqtari i katërt është turku Adil Sinem, ndërsa vëzhguesi i arbitrave i dërguar nga UEFA është irlandezo-veriori Alan Snodi. Edhe për ndeshjen e kthimit, atë që do të luhet në Shkodër (14 korrik, ora 20:00), janë caktuar gjyqtarët: irlandezi Alan Keli është kryesori, i ndihmuar nga Mark Dagllas dhe Damien Mekgreth.