Itali, identifikohet shqiptari i vrarë me 20 plumba
ROME – Policia italiane identifikoi dje emigrantin shqiptar të vrarë në një atentat që ndodhi në kryeqytetin e vendit fqinj 48 orë më parë. Sipas policisë dhe mediave italiane, Ramiz Doda, 25 vjeç nga Dibra, është viktima e ekzekutimit të ndodhur dy ditë më parë në Romë. Plot 20 plumba pistolete me kalibër 9mm janë shkrehur mbi shqiptarin mbrëmjen e të enjtes, në afërsi të sallës së lojërave “Freedom” në San Marcelino, një provincë pak kilometra larg Aversas në Itali. Sipas hetimeve të para të policisë, atentati dyshohet se është organizuar për larje hesapesh, ndërsa hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që krimi të jetë vepër e klanit Kasalezi. Emigranti shqiptar ndodhej në afërsi të sallës së lojërave të fatit, kur një motor me dy persona kaloi fare pranë tij dhe njëri nga pasagjerët qëlloi plot 20 herë me pistoletë në drejtim të shqiptarit nga Dibra, i cili mbeti i vdekur në vend si pasojë e të shtënave të armës. Policia po heton edhe të shkuarën e 25-vjeçarit të vrarë, me qëllim që të verifikohet nëse ai ishte implikuar në veprimtari të kundërligjshme, të cilat mund të kenë qenë shkak i atentatit.