E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tradhti, armë dhe politikë

"Out of touche" është një nga tre projektet e filmit alternativ që mbështetet nga QKK. Regjisori i ri Andi Deliana, një hap larg xhirimeve të bashkëprodhimit shqiptaro-amerikan, një dramë aksion mbi të vërtetat e moralit të shtresave të shoqërisë shqiptare


Një emër i ri në kinematografinë Shqiptare është ai i regjisorit Andi Deliana.

Për publikun shqiptar është pak i njohur. Së fundi ka qenë asistent regjisor në filmin "Koha e kometës" i F. Koçit. Projekti i tij i titulluar "Out of touche" u shpall fitues nga bordi i QKK-së së bashku me dy projekte të regjisorëve Joni Shanaj dhe Pluton Vasi, për film me metrazh të gjatë, fiction, i klasifikuar në kategorinë film alternativ.
Ngjarjet janë vendosur në periferi të Tiranës në ditët sot.

Një njeri i rëndësishëm në botën e biznesit lufton për të mbajtur privilegjet në një biznes me shtetin. Përpjekjet e tij nxisin kontradikta dhe bëhen shkas për një zinxhir ngjarjesh, që në një ditë të vetme do t'i sjellin dëmtime atij dhe personave të tjerë.

Subjekti përfshin tri cikle kryesore. I pari tregon implikimet e lidhjeve jashtëmartesore të personazheve në ngjarjen kryesore.


Cikli i dytë përfshin zhvillimin e ngjarjeve nëpërmjet aksionit, ku forca dhe armët janë pjesë përbërëse.


Ndërsa cikli i tretë sjell pjesëmarrjen e politikës, indirekt, si një faktor i rëndësishëm në jetën e përditshme të personazheve kryesorë. "Nëpërmjet këtij filmi, dëshiroj të shpreh disa të vërteta mbi moralin e shumë shtresave të shoqërisë shqiptare",- thotë regjisori.

Regjisori shton se po eksperimenton një lloj të ri skenari. "Jam frymëzuar nga disa autorë të veçantë që kanë përdorur formën "story-telling".

E them me bindje se po sjellim diçka të re, madje dëshirojmë të çojmë më përpara këtë punë eksperimentuese që kanë bërë autorë të tjerë në pak filma indipendentë në Amerikën Latine, në Shtetet e Bashkuara dhe më pak akoma në Europë".

Një nga bashkëpunëtorët e Delianës është ish- producenti i studiove amerikane "Warner Brothers", Peter Orphanos. "Kemi një kontratë paraprake me Orphanos, i cili po mbulon dhe kontaktet Amerikano-Veriore.

Përpos investimit të tij si kompani në këtë projekt, Orphanos ka marrë përsipër tërë fazën e post-produksionit (montazh, paraqitjen e filmit të përfunduar, marketingun on-line dhe kontaktet e marrëveshjet me distributorë) thotë regjisori.



Për Delianën qëllimi i këtij bashkëpunimi nuk është vetëm prodhimi me cilësi i filmit "Out of Touch", por dhe hedhja e tij në tregun amerikan si një film i huaj (jo anglishtfolës). "Gjithë qëllimi është që shtrirja jonë të jetë sa më e madhe, me anë të së cilës të nxirren të ardhura duke e bërë filmin rentabël jashtë Shqipërisë",- shprehet ai.
Shuma që QKK i ka akorduar projektit në fjalë është rreth 14.700.000 lekë.

"Është pak për një projekt të tillë, por me kontaktet që kemi në Francë, në Greqi, Kanada dhe Amerikë do mund të mbulojmë financiarisht dhe praktikisht kryerjen e projektit",- shprehet Deliana i cili është i vetmi nga dy fituesit e lartpërmendur për filmin alternativ që ka nisur punën.

Kjo quhet faza e parë e prodhimit që përfshin punën në departamentet kryesore të produksionit artistik, kamera, zë, logjistikë, etj, por dhe mbylljen e audicioneve, përpunimin e kontratave me ekipin dhe bashkëpunëtorët.


Regjisori i ri shpreson që xhirimet t'i nisë brenda pak muajsh, ndonëse ende nuk ka zgjedhur aktorët.


Mes emrave të Eljona Thomaraj, Elidon Alikaj, Olta Gixhari, Gentjan Zenelaj, Adem Karaga, Xhevdet Jasharaj nuk ka mundur të zgjedhë, por për një gjë shprehet i sigurt: në film do të ketë aktorë nga të tri trevat shqipfolëse, Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri.

Andi Deliana u largua për herë të parë nga Shqipëria në vitet '90 për tu vendosur në Francë dhe më pas në Kanada.


Aty u diplomua për kinema dhe realizoi punët e tij të para, kryesisht filma me metrazh të shkurtër. Më vonë vendoset në Nju Jork ku punon kryesisht në fushën e reklamave. Në vitin 2008 punon si asistent regjisor në filmin e regjisorit Louis Lombardi "Dough Boys", në të cilin interpreton edhe rolin e një turisti francez.



Prishtina, një qytet i pavarur


Në Teatrin Kombëtar të Kosovës u hap dje ekspozita e fotografit francez Guillaume Robert, "Prishtinë/Pristina, një qytet i pavarur". Autori ka qenë atashe për bashkëpunim pranë Zyrës Ndërlidhëse të Francës në Prishtinë në vitet 2000-2004 dhe paralelisht ka ndjekur karrierën e fotografit i dhënë pas temave ballkanike, larg stereotipeve që e paraqesin rajonin në Evropë.


Me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë, Robert ka sjellë "një qytet të pavarur" në një moment festiv. "Është vetëm një pjesë e manifestimit që rrjedh nga puna e gjatë mbi Ballkanin e ashtuquajtur "Balkans noë!".


Është e vështirë për mua të vendos nëse Ballkani është një realitet apo vetëm një ide, një realitet apo një atmosferë e veçantë. Kjo tërësi gjeografike, njerëzore apo kulturore nuk është gjë e lehtë të përkufizohet, edhe për njerëzit që e frekuentojnë vazhdimisht.


Këtu, kam
zgjedhur një seri të fotografive dokumentare që paraqesin skajet e realitetit por duke qenë i anshëm: antiteza e përshkrimit tragjik që i bëjmë Ballkanit, një përshkrim që "ballkanasit" e përjetojnë pastaj si antagonist."

Robert beson se fotografia shpreh qëllimin e tij për të treguar një botë që lëviz, që vetvendos, një botë ku mbretëron gjithmonë energjia dhe dinamizmi, pra "një normalitet që është larg asaj që Ballkani na ka mësuar".


"Borgjezi fisnik" sipas studentëve


Studentët e regjisë sot në mbrëmje vënë në skenë veprën "Borgjezi fisnik" të komediografit francez, Molier. Kjo është një vepër me të cilën studentët e artit skenik në Akademinë e Arteve, do të vlerësohen në përfundim të semestrit të parë të vitit akademik. Studentja e regjisë, viti IV, Oriana Cama, tenton ta sjellë "Borgjezin" e Molierit në ditët e sotme.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›