Kozaj: Ju rrëfej abuzimet me Fierzën
Ish-audituesi kërkon pezullimin e akteve, që sollën çimentimin e tunelit numër dy. "Abuzime me investimet dhe shpërblimet"
Ish-audituesi i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, Dashnor Kozaj, kërkon rikthimin në detyrë, pasi pretendon se transferimi i tij tek OSSH-ja është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Punës.
Por, paralelisht me këtë objekt, në kërkesëpadinë e tij, ai kërkon nga Gjykata e Tiranës të anulojë të gjithë aktet shkresore që kanë sjellë si rezultat çimentimin e tunelit të shkarkimit numër dy, të Hidrocentralit të Fierzës.
"Me këtë objekt të kërkesëpadisë, dua të shpëtoj HEC-in e Fierzës nga mbushja me aluvione ose llumra që sjell lumi i Drinit dhe përrenjtë në afërsi të digës së këtij hidrocentrali, në lartësinë deri në 270 metra, që është kuota e shkarkimit të tunelit numër tre",- shkruan ai në kërkesëpadinë e tij.
Kozaj thotë se, nga çimentimi i aktual i tunelit të shkarkimit nr. 2, nuk mund të nxirren më llumrat që mbërrijnë tek portat e këtij tuneli. "Tuneli i shkarkimi nr.2, është në lartësinë 178 metra. Tuneli i shkarkimit nr. 3 është në lartësinë 220 metra.
Vepra e marrjes që punojnë katër turbinat, janë në lartësinë 242 metra. Tuneli i shkarkimit nr. 4 është në lartësinë 280 metra. Këtu dua të nënvizoj se, turbinat që të prodhojnë energji elektrike, është kusht që lartësia e ujit duhet të jetë në kuotën 246 metra, se, në të kundërt, thith ajër dhe krijon goditje hidraulike, e për pasojë nuk dihet çfarë ndodh në pajisjet e turbinës.
Pra, nga ky çimentim, del se në 42.7 metra lartësi (220.7m-178m=42.7m), do të mbushet HEC-i i Fierzës në të ardhmen",- shkruan ai në kërkesëpadinë e tij. Sipas Kozajt, çimentimi i këtij tuneli është kryer në kuadrin e rehabilitimit të kaskadës së Drinit, që ka filluar që pas vitit 1997.
Kozaj thotë se ministri i Energjetikës trumbeton investimet në hidrocentrale, por pse nuk investon në tunelin nr.2 të Fierzës, për të montuar turbinë të tipit Frensis, që funksionon me rrjedhje uji nën presion, në pozicion horizontal, siç është edhe konfiguracioni i këtij tuneli shkarkimi. "Unë e shtroj problemin në parim, si edhe për të ruajtur këtë vepër madhështore",- thekson Kozaj.
Ai ka denoncuar gjithashtu edhe procedurat, që pretendon se janë abuzive dhe janë kryer gjatë gjithë këtyre viteve, që nga dokumentacionet e shkruara vetëm në gjuhën angleze, ku, sipas tij, gjuhë zyrtare duhet të jetë shqipja, në bazë të Kushtetutës. Ai pretendon se në Hidrocentralin e Fierzës, janë bërë abuzime, si me fondet e investimeve, ashtu edhe me pagesat e specialistëve.