E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, shtyhet afati për paraqitjen e kërkesave

Ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj, reagon pas ndryshimeve në ligjin për të përndjekurit.

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkeleid Alibeaj, ka mbështetur dje ndryshimet që janë bërë në ligjin aktual "Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist", edhe pse dje, përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë, Marsida Xhafellari, në Komisionin e Ligjeve është shprehur tepër skeptike. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë, thuhet se pranë Ministrisë së Drejtësisë janë paraqitur 17 579 kërkesa për dëmshpërblim financiar, të cilat janë trajtuar dhe po trajtohen nga Ministria e Drejtësisë. Alibeaj ka kujtuar se ka përfunduar trajtimi i 1 400 kërkesave, të miratuara edhe nga Këshilli i Ministrave dhe për të cilat do të shpërndahet dëmshpërblimi financiar. Ministri i Drejtësisë sqaron se projektligji në fjalë, ndër të tjera, zgjeron rrethin e përfituesve të dëmshpërblimit financiar, duke përfshirë motrën, vëllanë, nipin apo mbesën e ish-të dënuarit politik. "Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur rreth 460 kërkesa, nga shtetas me lidhje me ish-të dënuarin (motra, vëllai, nipi apo mbesa) dhe ky ndryshim është pozitiv për ta",- thuhet në njoftimin për shtyp. Përmes deklaratës zyrtare, Alibeaj sqaron se është shtyrë afati i paraqitjes së kërkesave deri në datën 01 korrik 2009, afat i cili, sipas ligjit aktual, ka përfunduar më 19 dhjetor të vitit të kaluar. "Në Ministrinë e Drejtësisë janë paraqitur, pas afatit të përcaktuar në ligj 19/12/2008, rreth 665 kërkesa, me tendencë në rritje. Ky ndryshim u jep të drejtën e përftimit të dëmshpërblimit financiar edhe këtyre aplikuesve", -thuhet në njoftimin zyrtar. Ministria e Drejtësisë sugjeron gjithashtu të saktësohet nëpërmjet kësaj nisme dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›