E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik Shqipëri-Itali, gjendet një gomone e mbytur

KLANDESTINËT/ Policia italiane ka zbuluar një mjet lundrues i cili ishte braktisur në kanalin e Otrantos


OTRANTO- Fillon përsëri trafiku i klandestinëve nëpërmjet detit. Ky është së paku dyshimi që kanë autoritetet e policisë italiane pas gjetjes së një mjeti lundrues të mbytur në kanalin e Otrantos.


Një gomone është gjetur në lokalitetin e quajtur Gropa e Monakos, në kanalin e Otrantos, në Itali dhe dyshimet e para janë për përdorimin e saj për transportin e klandestinëve nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.


Nga të dhënat e medieve të shtetit fqinj mësohet se ka qenë policia kufitare, e cila gjatë kontrolleve të bëra gjatë mëngjesit të ditës së shtunë ka gjetur të përmbysur mjetin lundrues në ujërat e kanalit të Otrantos. Rojet bregdetare nuk kanë gjetur asnjë trup të mbytur brenda gomones dhe për këtë dyshohet se personat që kanë lundruar në të, kanë mundur të largohen për të braktisur në fund gomonen.


Burime nga grupi hetimor që ka ngritur policia italiane kanë bërë të ditur se gomonia është nisur nga Shqipëria dhe ka qenë e mbushur me klandestinë dhe është braktisur me të shpejtë nga personat që e drejtonin, për të mos rënë në sy të policisë. Arratisja dhe lënia e mjetit lundrues që të mbytej, dyshohet se ka ndodhur me qëllimin që personat që e drejtonin atë, të mos kapeshin nga policia italiane.

Pas gjetjes së mjetit lundrues dhe nxjerrjes së tij në brigjet italiane kanë nisur hetimet intensive me qëllim gjetjen e personave që e kanë pasur në pronësi, si dhe destinacionin përfundimtar të saj.


Sipas të dhënave që raportohen në median italiane, gomonia është ndaluar në breg dhe pasi kanë zbritur njerëzit, ajo është braktisur qëllimisht. Dyshimet për përdorimin e gomones për transportimin e klandestinëve që vinin nga Shqipëria janë shtuar kur në të janë gjetur një thikë me një mbishkrim në gjuhën shqipe, si dhe ushqime dhe sende të tjera.


Sipas informacioneve të policisë, nga Shqipëria ka rifilluar sërish trafiku i njerëzve dhe i drogës me anë të mjeteve lundruese, pasi ditët e fundit janë gjetur sasi lëndësh narkotike të lëna në det.


Gjetja e këtyre sendeve brenda mjetit të braktisur ka forcuar më shumë pistën e autoriteteve italiane se gomonia ka transportuar njerëz. Pasi është gjetur, gomonia është dërguar në qytetin e Otrantos, në kazermën e rojeve kufitare, ku ndaj saj do të kryhen një ekspertizë e hollësishme.


Autoritetet e policisë italiane kanë filluar hetimet dhe sipas tyre, motorët e mjeti lundrues nuk janë të dëmtuar, por ka pasur disa vrima në bazamentin e saj. Hetimet pritet të zbardhin vendin nga është nisur mjeti lundrues, si dhe qëllimi për të cilin mund të jetë përdorur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›