E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtohet gjeneral Xheladin Gashi-Plaku

Në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta të gjeneral Xheladin Gashit-Plaku, njëri ndër themeluesit e celulave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dielën në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë të shumtë bënë homazhe pranë varrit ku prehet trupi i gjeneral Plaku, duke u përkulur në nderim të veprimtarisë së tij atdhetare, por edhe kujtuar me respekt, dashuri dhe krenari emrin e tij.

Për nder të figurës së gjeneral Xheladin Gashit, përveç qytetarëve dhe familjarëve kishin ardhur në Varrezat e Dëshmorëve të Prishtinë edhe ish- komandantë e themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nait Hasani, deputet në Kuvendin e Kosovës dhe bashkëluftëtar i gjeneral Plakut, ka thënë se në pesë vjetorin e ndarjes nga jeta, ndjen dhimbje, por edhe ndihet krenar që ka pasur një mik dhe bashkëluftëtar të tillë sikur Plaku, i cili gjithmonë u qëndroi besnik idealeve të tija në luftën për liri dhe çlirimin e atdheut. Për më tepër, Hasani ka thënë se gjeneral Plaku, si njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet ta ketë vlerën e vet në historinë e Kosovës.

Gjeneral Xheladin Gashi-Plaku veprimtarinë e tij patriotike e filloi qysh në vitet e 70-ta në organizatat ilegale, që atëherë iu përkushtua shumë me seriozitet veprimtarisë gjithnjë në shërbim të interesave të atdheut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›