E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asfiksohen nga gazi, humbin jetën nënë e bijë

DURRËS/ Gjatë natës duke gdhirë e shtunë, Zenepe e Sabrije Kabashi kanë mbetur viktima të rrjedhjes së gazit


DURRËS - Nënë e bijë vdesin tragjikisht nga gazi. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Kabash" të fshatit Rrashbull që ndodhet në periferi të qytetit të Durrësit. Mëngjesin e së shtunës janë gjetur të asfiksuara nga gazi dy gra të moshuara që ishin nënë e bijë. Zenepe e Sabrije Kabashi, e para rreth 84 vjec dhe e dyta 57, gjatë natës kishin lënë të pambyllur rubinetin e sobës së gazit me të cilën janë ngrohur në orët e mbrëmjes. Në mëngjes kur një kushërirë ka shkuar për t'u dërguar qumështin, i ka gjetur pa jetë.
Një fqinjë e familjes Kabashi që banonte në afërsi dhe kishte lidhje krushqie me dy gratë, ka mbërritur si zakonisht për t'u dhënë qumështin që e blinin çdo ditë tek ajo. Por, kur u ka thirrur tek dera e dhomës, nënë e bijë nuk i janë përgjigjur. Pas kësaj ajo ka thirrur djalin pasi në atë orë të ditës, dy gratë i gjente gjithnjë zgjuar. Kur djali ka hyrë në dhoma ka konstatuar se nëna e tij dhe e motra kishin vdekur gjatë natës. Pas kësaj është thirrur në vendngjarje policia, e cila i ka dërguar viktimat në morg për ekzaminimin mjeko-ligjor. Një person që kishte kushërirë nusen e viktimave dha detaje rreth situatës se si u gjetën viktimat në orët e mëngjesit. Ai tregoi se ishte motra e tij ajo që u çonte qumështin dy grave.
"Në orët e mëngjesit motra shkoi për t'u çuar qumështin në banesë. U thirri, por ato nuk iu përgjigjën. Kështu ajo u shqetësua dhe ndaj thirri djalin e Zenepes, i cili flinte në dhomën tjetër bashkë me gruan dhe fëmijët e vet. Pas kësaj ato i gjetën të vdekura", rrëfen i afërmi i viktimave. Burimet e policisë saktësuan se pas hetimit u konstatua se në dhomën e viktimave ka hyrë i biri, i cili kishte konstatuar se ato kishin vdekur. Ai ka thirrur dhe policinë e cila shkoi në vendngjarje dhe nisi hetimet. Ajo ka pyetur disa nga fqinjët dhe të afërmit e viktimave, ndërkohë që nuk janë konstatuar as shenja dhune. Vdekja e tyre sipas ekspertëve ligjore ka qenë nga rrjedhja e gazit.
Të afërmit e viktimave treguan për "Shekullin" se para dy ditësh ishte diskutuar në banesë se koha po ngrohej dhe se nuk ishte e nevojshme që të përdorej gazi për ngrohje. "Megjithatë, - sipas të afërmve, - nënë Nepja tha se unë jam e moshuar dhe në darkë dua që të ngroh pak këmbët". Pas këtij diskutimi, i biri ka rimbushur një bombolë të re, e cila mbasi është vënë në funksionim, nuk është mbyllur plotësisht dhe duke qenë e mbushur, ka pasur edhe presion më të madh që ka ndikuar në intensitetin e rrjedhjes. Si rrjedhojë, mbyllja nuk e ka ndaluar rrjedhjen, e cila ka mbushur dhomën e hermetizuar nga dritaret e duraluminit, duke bërë që nënë e bijë të humbnin jetën. Policia që ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar gjatë hetimit se shkaku i këtij fundi tragjik për nënën dhe të bijën ka qenë rrjedhja e pakontrolluar e gazit, që i ka asfiksuar dhe më pas u ka marrë jetën.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›