E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykimi i preshevarëve

Në Gjykatën e Qarkut në Beograd gjykimin ndaj nëntë shqiptarëve nga Presheva e ka karakterizuar dëshmitari i prokurorisë me nofkën “Bozhuri 50”, i cili ka qenë dëshmitari kryesor në këtë proces gjyqësor, ndërkohë që gjykimi është caktuar të vazhdojë me 9 prill.

Për hollësitë lidhur me ecurinë e procesit gjatë kësaj jave, të gjykimit të nëntë shqiptarëve nga Presheva, flet lideri i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, Orhan Rexhepi, i cili njëherësh është caktuar nga familjarët e të arrestuarve shqiptarë si përfaqësues në këtë proces gjyqësor.

Ai theksoi se “dëshmitari bashkëpunëtor ”Bozhur 50”, e që fatkeqësisht është një “shqiptar” nga komuna e Preshevës, si dëshmitar kryesor është para dështimit total”. Ai gjatë tërë kohës së dëshmisë, praktikisht gënjeu, për çka është kapur nga avokatët mbrojtës, por edhe nga vetë kryetarja e Trupit Gjykues, Snezhana Nikoliq –Garotiq.

“Tani mund të themi se kemi një shpresë të madhe se kjo gjykatë më në fund do të marrë një vendim të drejtë – lirimin e djemve tanë”, theksoi Rexhepi.

Prokuroria për Krime Lufte e Republikës së Serbisë, përmes Gjykatës së Qarkut në Beograd, ka vazhduar gjykimin kundër nëntë, përkatësisht shtatëmbëdhjetë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, të quajtur si “Grupi i Gjilanit”, kinse ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Shqiptarët e arrestuar nga Presheva, nga Prokuroria për Krime Lufte e Republikës së Serbisë, akuzohen për krime lufte ndaj serbëve, romëve e ndonjë shqiptari spiun, “të kryera” këto në Gjilan, gjatë periudhës kohore mesi i qershorit-fundi i tetorit 1999.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›