E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafik në autostradë; Dëmtohet rrethqarkullimi i Shkozetit



E ndërtuar qysh në vitin 2000, rrethqarkullimi i Shkozetit, i cili luan një rol të rëndësishëm në qarkullimin rrugor të afro 50 mijë automjeteve në ditë, pothuajse është shkatërruar. Ai çdo ditë bllokon qarkullimin e mjeteve dhe është bërë shkak për aksidente me pasoja jete për drejtuesit e kalimtarët. Atje kryqëzohet rruga e Shijakut me atë që lidh autostradën me plepat. Çdo ditë në këtë rrethrrotullim krijohen radhë të gjata makinash e për më tepër ai është dëmtuar mjaft, aq sa të jep përshtypjen e një baseni me ujë të ndenjur. Fondi Kuvajtian për Zhvillimin Ekonomik, vitin e kaluar ka nënshkruar një kontratë me të cilën do të mundësohej realizimi i projektit për ndërtimin e mbikalimit të Shkozetit mbi rrethrrotullimin ekzistues, i cili shihet si zgjidhja e këtij problemi, por ende punimet nuk kanë nisur. Rrethqarkullimi i Shkozetit u ndërtua në vitin 2000 nga kompania greke “Sarandopulos”, e cila realizoi gjithashtu edhe projektin e mbikalimit të Plepave, si dhe rikonstruksionin e rrugës Plepa-Rrogozhinë. Këto objekte janë të sinkronizuara me njëri-tjetrin, pasi janë pjesë e të njëjtit aks rrugor, mjaft i rëndësishëm, i cili lidh jugun e vendit me Durrësin e Tiranën si dhe me autostradën që lidh këto metropole. Ndërtimi i këtij rrethrrotullimi në fakt ishte një devijim nga projekti fillestar, i cili parashikonte edhe ngritjen e një mbikalimi sipër tij. Por ai nuk u realizua për shkak të ngjarjeve të vitit 1997 të cilat i shkaktuan kompanisë greke humbje financiare për shkak të kohës së humbur pa punë. Rrethqarkullimi aktualisht ka pësuar dëmtime të mëdha si në shtresën e asfaltit, ashtu dhe në bllokimin e kanaleve kulluese. Për rrjedhojë, rrethrrotullimi është transformuar në një pellg me ujë, duke u bërë tmerri i shoferëve.

A. Ajazi

Elbasan

Përfundon testimi i mësuesve

Ka përfunduar në Elbasan testimi për kualifikimin e mësuesve. Në zbatim të udhëzimit nr. 1 të MASH-it, datë 14.01.2009, “Për organizimin e kualifikimit për punonjësit që plotësojnë vjetërsinë në sistemin arsimor parauniversitar të sistemit të arsimit publik dhe jopublik për vitin 2008-2009”, u zhvillua në Elbasan testimi i rreth 308 mësuesve. Sipas zonjës Mimoza Matraxhiu, drejtore e DAR-së Elbasan: “Udhëzimi u punua me punonjësit e DAR-së dhe u caktuan detyrat për zbatimin e tij. Udhëzimi bashkë me shkresën përcjellëse, iu dërgua drejtorive të shkollave për të njoftuar punonjësit për të marrë masat e duhura në kohë dhe afatet e përcaktuara nga MASH-i”. Në provimet e kualifikimit morën pjesë të gjithë punonjësit e arsimit parauniversitar, që deri në 31 dhjetor 2009 plotësonin vjetërsinë e punës në arsim. Kjo vlente për arsimtarët me vjetërsi pune nga 5 deri 9 vjet për shkallën e tretë të kualifikimit, nga 10 deri 19 vjet për shkallën e dytë të kualifikimit, nga 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit. Kjo e fundit, të paktën 10 vjet pas marrjes së shkallës së dytë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›