Ina Rama, prokurorëve: Keni mungesë profesionalizmi
Kryeprokurorja Ina Rama kritikoi ashpër dje vartësit e saj, duke i akuzuar ata për mungesë profesionalizimi dhe duke u kërkuar të jenë sa më reflektivë ndaj problematikave që ajo ka hasur gjatë analizave vjetore në çdo prokurori të vendit. Një nga një, Kryeprokurorja renditi dje në mbledhjen e Këshillit të Prokurorisë problematikat serioze të hasura në punën e tyre, duke e nisur që nga caktimi i masave të sigurimit dhe duke vijuar në dhënien e pafajësive nga gjykatat. Ashtu siç i renditi edhe vetë kreu i organit qendror të akuzës, një nga problematikat më serioze në punën e prokurorëve është caktimi i masave të sigurimit. Për shkak të mbajtjes në burg të personave të pafajshëm, shpesh Prokurorisë i është dashur të paguajë një faturë financiare, ndërsa personit i është dashur të vuajë padrejtësisht burgimin e padrejtë. Sipas znj. Ina Rama, në masat e sigurimit personal “arrest në burg” mbetet shqetësim zbatimi i kushteve dhe kritereve ligjore në kërkesat që paraqiten në gjykatë për caktimin e kësaj mase. “Prokurori ka detyrimin ligjor të analizojë me profesionalizëm çdo rrethanë të vlefshme në hartimin e kërkesës së tij për një masë shtrënguese ndaj një individi, që sipas ligjit prezumohet i pafajshëm”, - u shpreh ajo, duke shtuar se “ajo që konstatohet është se ndër 4.628 kërkesa për caktim të masave shtrënguese, 2.879 janë kërkesa për arrest në burg dhe nga këto, gjykata ka pranuar 2.584”. Kryeprokurorja vazhdoi kritikat e saj kundrejt vartësve, duke u shprehur se “me vështirësi prokurorët aplikojnë për vendosje masash alternative sigurimi personal, dhe aplikojnë për “arrest në burg” edhe në rastet e kryerjes së veprave penale të lehta apo kur gjendemi para individësh me rrezikshmëri jo shumë të lartë”. Por, shqetësuese për kreun e akuzës shihen edhe aplikimet për masë shtrënguese për kategorinë e të arrestuarve të mitur. “Një situatë shqetësuese vërehet me aplikimin e kërkesave të masave të sigurimit “arrest në burg”, edhe kur personi ndaj të cilit zhvillohen hetimet është i mitur, që në shifra të konsiderueshme i gjejmë të përfshirë në vjedhje të sasive të vogla. Në mënyrë të veçantë, për kategori personash duhet të konsiderojmë kontinuitetin e proceseve edukuese e integruese të tyre në shoqëri dhe të mos aplikojmë masa sigurimi që i japin në mënyrë definitive një drejtim negativ jetës së të miturit”. Caktimin e këtyre masave të sigurimit, Kryeprokurorja Rama e ka konsideruar si një komoditet për prokurorët, apo më mirë siç e theksoi vetë ajo, “paaftësi profesionale dhe në rastin më të keq, si një mjet presioni që përdoret ndaj personave të përfshirë në proces, për të lejuar prokurorët të demonstrojnë të gjithë pushtetin e tyre mbi ta dhe realizimin e përfitimeve të paligjshme”.
Krimi ekonomik
Lumi i kritikave vazhdoi për prokurorët edhe për hetimin ndaj krimit ekonomik, korrupsionit, të cilësuara si fenomenet më të dëmshme që shoqërojnë shoqërinë shqiptare dhe për të cilat numri është në rritje. Sipas Kryeprokurores, në këtë drejtim ajo që konstatohet është se roli i prokurorisë në drejtim të zhvillimit të hetimit proaktiv është i ulët dhe prokurorët gjenden shpeshherë në pritje të referimeve nga Policia e Shtetit apo qytetarët. “Prokurorët duhet të shfaqen më aktivë në regjistrimin e çështjeve të kësaj natyre, duke shfrytëzuar njohuritë që marrin për ndodhjen e një ngjarjeje kriminale nga çdo burim i shfrytëzueshëm apo edhe nga çështje të tjera që ata kanë nëpër duar”. Ndaj dhe, sipas znj. Rama, duke vazhduar në të njëjtën linjë, duhet veçuar fakti që përgjithësisht konstatohen pak çështje të nisura kryesisht nga prokurori, për të gjitha kategoritë e veprave penale. “Ky pasivitet është i patolerueshëm, kur shpeshherë faktet janë evidente dhe nuk mund të anashkalohen, sepse, nisja e procedimit kryesisht është jo vetëm e drejtë por, edhe një detyrim ligjor i organit të akuzës”, - vijoi kritikat Kryeprokurorja Rama.
Çështjet e vjetra, rifillimi i hetimeve
Gjatë paraqitjes së problematikave, kreu i institucionit të lartë të akuzës nuk ka lënë pa përmendur edhe rifillimin e çështjeve të vjetra, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Policisë së Shtetit. Sipas znj. Rama, çështjet e vjetra të pazbuluara janë një plagë e shoqërisë. “Në disa prokurori konstatohet një punë e lavdërueshme në këtë drejtim, por ka prokurori të tjera, të cilat nuk e kanë vlerësuar seriozisht situatën”, - u shpreh ajo, duke shtuar se “parimisht në këto çështje duhet mbështetur çdo iniciativë e policisë për të rifilluar hetimet për një çështje të vjetër të pezulluar, duke menaxhuar më pas në vazhdim me kujdesin e duhur, aplikimin e masave të sigurimit, në rast se ato do të shfaqen të nevojshme”.
Vendimet e gjykatës për pafajësi
Gjykatat kanë dhënë 184 pafajësi përgjatë vitit 2008 për një numër të konsiderueshëm të akuzuarish. Kjo është parë si mjaft shqetësuese nga Kryeprokurorja, e cila theksoi se “mbetet shqetësues numri i pafajësive të marra në gjykatë”. Sipas saj, në pak prokurori këto vendimmarrje shoqërohen me një analizë të detajuar të çështjes për të individualizuar përgjegjësitë dhe gabimet, me qëllim shmangien e tyre në të ardhmen. “Asnjë rast pafajësie nuk mund të kalojë pa u analizuar nga prokurorët bashkë me oficerët që kanë kryer hetimet”, - u bëri apel ajo prokurorëve, duke shtuar se “në funksion të kësaj ideje do të kërkohet një raportim periodik në Prokurorinë e Përgjithshme për këto raste, pas analizës së bërë për to”. Sipas znj. Rama, kujdes i veçantë duhet bërë edhe në rastet kur gjykata bën një kualifikim të ndryshëm ligjor të faktit nga ai i bërë nga prokurori, situatë që duhet të na bëjë të vlerësojmë maksimalisht momentin e ngritjes e komunikimit të akuzës.
Komisionet disiplinore
Problematikë për kreun e organit qendror të akuzës është edhe konstatimi se nuk janë ngritur, ose nuk funksionojnë mirë komisionet disiplinore nëpër prokurori. Ngritja dhe funksionimi i komisioneve disiplinore dhe shkëputja nga raportet personale e familjaritetit që krijohen mes prokurorëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore, sipas Kryeprokurores Rama, janë elemente që do të ndihmojnë në rritjen e cilësisë së hetimit, rritjen e autoritetit kontrollues së prokurorëve ndaj punës së oficerëve dhe në konkluzion do të çojë në një mbarëvajtje më të mirë të punës.
Asetet kriminale
Por, Kryeprokurorja theksoi se një vëmendje e veçantë i duhet kushtuar edhe hetimit financiar dhe sekuestrimit, me qëllim konfiskimi të aseteve të personave nën hetim. “Jemi të ndërgjegjshëm se goditja në financat e një individi që e ka ngritur bizneset e tij mbi aktivitetin kriminal, është shkatërrimi i suportit themeltar që e mban atë në këmbë në një shoqëri të kapitalit”, - vijoi ajo kritikat. Znj. Rama theksoi se “prokurorët nuk tolerohen të anashkalojnë hetimin financiar qoftë në zbatim të Kodit Penal, qoftë në zbatim të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e ligjit antimafia””. Ndaj dhe, sipas saj, në këtë drejtim ndihet e nevojshme që të forcohet bashkëpunimi dhe të ngrihen struktura të posaçme me Policinë e Shtetit, për të pasur në dispozicion të hetimit financiar jo vetëm “background”-in ligjor, por edhe atë policor. “E gjitha kjo duhet kuptuar se puna e një prokurori nuk do të konsiderohet se është e mirë në rast se ai ka lënë jashtë hetimit penal asetet e personit ndaj të cilit ushtrohet ndjekja penale, edhe atëherë kur personi është ndëshkuar me një sanksion të lartë penal nga gjykata”, - theksoi numri një i akuzës, duke shtuar se “hetimi financiar nuk mund të konsiderohet më si një çështje opsionale, por si një detyrim ligjor i pashmangshëm”.
Reagimi
Prokurorët: Kemi frikë të zbusim masat e sigurimit, na akuzojnë për korrupsion
Të zbuten masat e sigurimit “arrest me burg”. Jo për të gjithë të arrestuarit duhen caktuar domosdoshmërish masat shtrënguese me burg. Këto kanë qenë kritikat e bëra dje në fillim të mbledhjes nga Kryeprokurorja Ina Rama. Por, nuk kanë ndarë të njëjtin mendim me të prokurorët e pranishëm, ndonëse nuk reaguan pas fjalës së saj. Gjatë kontakteve që patëm me ta pas mbledhjes, u shprehën se “jo se nuk duam të caktojmë masa më të lehta, por jemi të detyruar. Nëse caktojmë arrest shtëpie apo detyrim paraqitjeje, mendojnë se ne kemi marrë lekë për atë çështje, ndaj kemi vepruar në atë mënyrë. Nëse caktojmë arrest me burg, na tërheqin vërejtje si sot. Nuk dimë si të veprojmë...”.