E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita dhe shkronja G.



Dielli dhe dashuria ishin jeta e fshehtë, ajo poetike, e Drita Çomos. Ndërsa një ditar me mbi 400 faqe e shndërruan botën e brendshme të saj, në një histori jo të zakontë, duke na shërbyer si dëshmi sot. Për ta lënë më tej gjurmën, se çfarë ndodhte në një botë fëmije në kohën kur diktatura nuk ndalte revanshin e divorceve politike, dhe paranojën e persekutimeve masive, dokumentari i Namik Ajazit këtë herë ka qenë sakrilegj. Mbrëmë në kinema “Millenium”, ndoshta për herë të parë, na u soll shkaku embrional pse rrojti aq gjatë diktatura, dhe pse shqiptarët kishin aq terror.

Për fëmijët asnjëherë nuk ishte parë e udhës që të kuptonim ç’qe kjo diktaturë - veç, ata e dinin fare mirë se si duhej të silleshin, si duhej të luanin, ku duhej të fshiheshin.

E njëjta gjë ka ndodhur me bijën e familjes Çomo, ministrit të Bujqësisë, Maqo Çomos dhe gruan e fortë të kupolës komuniste që u rrëzua për 24 orë, Liri Belishovës.

Drita Çomo, vajza e vogël 2-vjeçare, e njohu internimin. Në bashkëpunim, skenari i regjisorit Namik Ajazi me Petrit Rukën, për 40 minuta xhirohet mbi faqe ditari.

Ajazi na thotë se ky film i nxitur nga një histori zinxhir, që lidhen me emrin e Liri Belishovës, mori në dorë ditarin e Drita Çomos. Në vetvete, ky ditar nuk është histori e re për shqiptarët. Por realizmi i tij në ekran e “mbron” Ajazin nga çdo thyerje ritmike, për ta përqendruar vëmendjen në një realizim maratonomak - se çfarë ndërtohej pas jetës së një brezi të ri në kohën e diktaturës.

Ndonëse në ditar, Drita na paraqitet në suitën e romantikëve dhe simbolikës shpirtërore, duke kuptuar qysh në një fëmijëri të hershme realitetin ku jetonte, Ajazi në dokumentar na shfaq një rrëfim “dëshmitarësh”, bashkëmoshatarë të bijës së Liri Belishovës. “Doja të tregoja jetën e një grupi fëmijësh, të cilët ndanin pothuajse të njëjtin fat. Jetën e atyre fëmijëve që kishin prindër të persekutuar. Është një homazh i atyre fëmijëve që u persekutuan. Po ashtu, edhe brezi i ri duhet të informohet për atë periudhë, ata duhet ta kujtojnë atë”, - thotë Ajazi. Këtë kontekst politik, për një reflektim që akoma nuk është bërë në Shqipëri, duket se dje e ka përshëndetur dhe prezenca e Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Në krah të tij, Liri Belishova nuk i heq asnjë presje mendimit të njëjtë me regjisorin, se është një moment i duhur për ta kthyer vështrimin në krimet e diktaturës - sërish në një debat aktual siç është ligji i lustracionit. Nën këtë hierarki politike, jeta e Drita Çomos në dokumentar nuk merr ndjeshmërinë e moshës që jetoi ajo. Por, dhënia e një konteksti politik duket se ia zbehte pak “ditarin” e vajzës që i shkruante poezi, nënës, babait, gjyshes dhe djalit me germën G. Limit i kohës për regjisorin ka qenë justifikimi që në dokumentar të shikonim më shumë një intelektuale, ndoshta një poete, ndoshta një rini që rebelon me botën e brendshme. Në 40 minuta dokumentar filmik ngjarjet fiksohen si ditar, por shumë pak, duke përmbushur “dëshirën” për dhënien e atmosferës së asaj kohe nën një persekutim të egër. Tre vjet pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, Liri Belishova ra pre e këtij divorci politik me kampin sovjetik. Nis fushata e spastrimit dhe lufta e klasave. Kështu na shfaq Ajazi vitin 1947, kur nis jeta nën tokë e familjes Çomo. Mbas Lezhës, shkojnë në Elbasan dhe më pas internohen në Cërrik. Kur po krijohej njeriu i ri i socializmit, Drita ishte vetëm 3 vjeç, përbuzej dhe zhytej në vetmi dhe nuk mund të lëshonte asnjë zë me shoqet e saj. Rrëfimi i Liri Belishovës i ngjan sot një ironie të pabesueshme, kur në rrugë i thërrisnin “o balliste”. Ajo ka treguar se ka pasur direktiva që komshinjtë e tyre të mos lejonin fëmijët të shoqëroheshin me Dritën. Ndërsa aktorja Rajmonda Bulku, bashkëmoshatare, shoqe klase me vajzën e Liri Belishovës, ka kujtuar temperamentin e shoqes së saj të tërhequr, natyrën ftuese të saj në pamundësi për t’i rezistuar fatit.

Kur një të diel vjeshte të vitit 1976, Drita nis e shkruan ditarin e saj. Dielli është realiteti simbolik po aq sa dhe realiteti tokësor, ku Drita nuk heziton të shkruajë se ndjente shikimin e njerëzve që e shihnin me habi, por dhe i kthenin kokën tinëzisht.

Një bashkëmoshatare tregon se i kishin thyer notë në sjellje, sepse ishte shoqëruar me Dritën.

Ndërsa kishin kaluar 15 vite pa parë të atin, Maqo Çomon, i dënuar dhe ridënuar nga regjimi komunist. Ajo ç’ka Drita njihte dhe merrte nga babai i saj ishin disa letra, të shkurtra, të censuruara dhe takime të rralla.

Rasti më i dhimbshëm ishte dita kur Drita kishte shkuar për ta takuar dhe nuk arrin, veçse fjalët pëshpëritëse të dëgjuara nga një roje burgu... arkivol... e kthyen mbrapsht duke ia mbyllur një herë e mirë historinë me babain, e takimeve me të.

Në ditar, Drita shkruante: Na priste te dera e burgut... dhe zërat që i përgjigjeshin “ik se e kemi ne...”. Në gjithë këto makthe, mbyllje në dëshpërim, vetëizolim, vetmi, çuan që Dritës t’i shfaqej në vitin III sëmundja.

E diel 13 maj 1976 - Drita Çomo shkon në Elbasan për t’u vizituar, konsultuar me mjekët. Ishin këto çaste që e “zgjuan” nga monotonia e ditëve të saj të zymta, duke shkruar në ditar se “sikur iu thye monotonia, e zakonshme”.

Në këtë paradoks dhe ironi të jetës, Drita merr lajmin nga doktorët se kishte kancer.

Fillon kalvari i spitaleve, bashkë me dëshpërimin e mbledhur në zemër, duke “dëfryer” metastazën komuniste. Çomo njihej si mbiemër. Ishin armiq të shpallur tashmë për diktaturën. Ndërsa Liri Belishovës i duhej të siguronte leje në Degën e Brendshme që të shkonte e të kthehej brenda ditës, për të takuar të bijën në spitalin e Elbasanit.

“Ishin intimitete familjare, që duhet t’i ruaja vetëm për vete dhe jo t’i dinte dhe Sigurimi”. Aktorja, Rajmonda Bulku kujton se në rrugë Drita nuk fliste fare. E vetmja liri që ndjente Drita ishte në zbor dhe aksion, ku ishte “e detyruar” të rrinte me të gjithë, kur nuk i thoshte kush se me kë duhej të fliste.

Ndërsa nëna e saj, femra me nam të madh në të gjithë Shqipërinë, si armike e betuar e komunizmit, duhej të shkonte në degën e Elbasanit për të marrë leje sa herë të shkonte në spital. Madje, për ta marrë në telefon, mezi arrin të sigurojë lejen duke befasuar mjekët - sepse po flisnin me Lirinë famëkeqe.

Rrëfimi në dokumentar vjen kronikal, duke treguar deri në detaje një rrugëtim sfilitës për Dritën. Kur ajo del nga spitali nuk e pranonin në shkollë, e cila ishte e detyruar të shkonte në Ministri të Arsimit për të dorëzuar raportin. Por nga kujtimet e të vëllait, Petrit Çomos dhe kjo e drejtë iu mohua, ndërsa ishte e dënuar nga jeta me vdekje.

Për ta mposhtur gjithë dhimbjen në adoleshencë, Drita lexon Pushkinin, poezitë e forcës e të jetës së dhimbshme, duke u bërë një mburojë shpirtërore. Ndoshta ky episod duhet të ishte leximi më ngulmues i regjisorit, për të kuptuar nga buronte gjithë ajo forcë mbi dhimbjen. Ishte gjë e rrallë kjo në moshë të saj. Dhe kjo e çonte drejt poezive, krijimeve të saj për dhimbjen, nënën, babanë, gjyshen e saj të përvuajtur, deri për djalin që ka trokitur me vrull në zemrën e saj.

Ndërsa në spital, Sigurimi kishte marrë në pyetje personelin duke kërkuar të dhëna për Dritën, si sillej, çfarë mendimi kishin për të.

Mbështetja e rrëfimit të Ajazit mbi ditarin e Drita Çomos është nga pasazhet më të goditura, duke tërhequr vëmendjen në një të vërtetë historike, që ta forcon më shumë bindjen e asaj dëshmie.

E premte, 2 nëntor - Mjekët i thonë Dritës të dalë nga spitali, ndërsa pasdite takon djalin me germën G. Gjithçka thuhet për jetën e saj në dokumentar është e ngrirë, gjithçka vetëm dhimbje, madje dhe vetë dashuria. Por ky konotacion i ndjeshmërisë nuk i ka gjithë ngjyrat e moshës, nuk i shpalosen ankthet në tekstin e skenarit, duke u rrëmbyer më shumë në patos interpretues. Ndërsa emocionuese është fjala në ditar:

“Si mund t’i harroj dashuritë... minutat... ato bëhen më të bukura...”, që nuk sjell gjendjen aluçinante të Dritës, kjo ndoshta besuar nga sëmundja, por kemi të bëjmë me një botë mirëfilli të pastër shpirtërore, që rebelon nën heshtje dhe dhimbje.

Por antisigurimi i kishte mprehur shqisën, siç pohojnë familja Çomo, e ndjekur me gisht nga biografia e keqe. Të gjithë emrat në ditar nuk shkruhen të plota, por vetëm me një germë. Deri në këtë detaj e ndjente Drita terrorin për t’i ruajtur ata.

Shkronja G. ia kishte bërë më të durueshme pavijonin në dy vitet e fundit. U kthye sërish në shtëpi, këtë herë e destinuar ta mbyllte këtu jetën shkollore, duke mos siguruar nga Ministria e Arsimit të drejtën e mbarimit të shkollës, marrjes së diplomës.

Dritës i duhej të punonte për të siguruar daljen në kemp. Me kokën ulur, me shat në dorë në një lulishte, aktorja Rajmonda Bulku kujton se pa Dritën.

Ajo kishte filluar punë si punonjëse komunale në lulishte.

“Kishte buzëqeshje të ëmbël dhe ironike dhe mua më dukej e paimagjinueshme se si mund të punonte ajo në lulishte”, - kujton Bulku.

E shtunë 31 dhjetor - “Njerëzit gëzohen. Por për mua iku dhe ky vit. Unë ndjej si frikë, sepse nuk kisha bërë asgjë deri tani”. Janë këto shënime në ditar që e rikthejnë Dritën në dëshpërim dhe prapë në spital, akoma më e dobët.

Ajo ndjen të fundit orë, duke shkruar se ka qarë vazhdimisht, për të gjitha. Pesimizmi i saj është krejt i natyrshëm, por dhe në paradoks me jetën që ajo kishte kaluar. Kërkonte jetën pa e pasur atë. Nëna e saj, Liri Belishova tregon çastet e fundit kur e kishte thirrur në telefon dhe për herë të parë i thanë se nuk mund të fliste dot, se Drita nuk mund të ngrihej. Vetëm mjeku që e kuronte kishte arritur t’i thoshte së largu, hapur: “Nëna e Dritës, vajza po të vdes”. Më 19 shkurt 1981, në moshë fare të re, Drita Çomo, e vetme, vdes në spitalin onkologjik të Tiranës. Në 40 minuta dokumentari “Drita në humnerë” ka pak tekst, dëshmi që dihen, por i papranuar nga pjesa e “paprekur” nga regjimi.

Ajo çfarë kujton në këtë dokumentar Liri Belishova është me lot të fshehur, duke e njëjtësuar gjithë vuajtjen e vet me të bijën. Në mes absurditetit të vdekjes së pritshme të të bijës, Liria thotë se i kishin hequr nga dhoma e spitalit të vajzës të gjithë pacientët, që të mos shihnin armikun e popullit. Atë, Lirie Belishovën, teksa merr trupin e vajzës së vdekur.

Mbyllja e ditarit është me germën G. “Nuk e pyeta se si ishte, folëm vetëm për sëmundjen time...”, - shkruan Drita në çastet e fundit të jetës së saj, duke jetuar mes zisë dhe duke lënë jetën në dashuri. Me plot arsye, dielli ishte shoqëruesi i muzës së saj, në ditar, në zemër dhe në poezi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›