"Trafikantët" me skafe në det edhe pas moratoriumit

DROGA
Hetimi i Plotë i Antimafies italiane tregon rrugët e trafikut të drogës nga banda e goditur në mesin e muajit shkurt të këtij viti
TIRANË- Operacioni i përbashkët i Prokurorisë së Antimafias së Leçës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda i finalizuar pak ditë më parë me shkatërrimin e një rrjeti të trafikut të drogës me gomone nga Shqipëria në Itali, nxori edhe njëherë në pah se "moratoriumi i skafeve" nuk i ka ndalur "trafikantët" për të furnizuar qytetet e shtetit fqinjë me lëndë narkotike të llojeve të ndryshme.
Kështu, sipas procedimit penal me nr. 74 të regjistruar nga prokuroria e Krimeve të Rënda më 23 nëntor 2009, menjëherë pas ardhjes së letër-porosisë me materialet hetimore të Prokurorisë së Antimafias së qytetit të Leçes është provuar se trafiku i drogës me gomone nga Shqipëria ka vazhduar edhe pas "moratoriumit të skafeve".
Sipas akteve hetimore të ardhura nga shteti italian, të cilat janë përdorur për të vënë në pranga në Shqipëri Mariglen Hallkën i njohur në përgjime si "Geni", Fatbardh Kapllanaj i njohur si "Bardhi", Artur Demaj, Daniel Likaj dhe Pilo Zanaj dhe duke shpallur në kërkim edhe katër të tjerë me inicialet S.L.; A.P.; B.Xh. dhe S.Z., trafiku i drogës me gomone ka vazhduar edhe pas hyrjes në fuqi të moratoriumit antiskaf të qeverisë shqiptare.
Kështu, sipas dosjes përkatëse penale, mësohet se nëntë të dyshuarit e këtij trafiku kanë nisur nëpërmjet kanalit të Otrantos, drejt brigjeve italiane një sasi prej rreth 1513 kg hashash dhe 10 kg heroinë. Të gjitha këto ngarkesa janë nisur nëpërmjet gomoneve, ndërkohë që gjatë kësaj kohe, autoritetet e policisë kishin si armë të tyre edhe mortatoriumin e skafeve.
Kjo sasi droge, sipas dosjes, është nisur në tre episode të ndryshme, atë të datës 18 mars 2005; 12 shtator 2006 si dhe 2 tetor 2006, duke vazhduar pas kësaj date edhe me tre "rrugë" të tjera të trafikut të 10 kg heroinë dhe një sasie prej 140 kg hashash gjatë 2007.
EPISODI I
Prokuroria e Antimafias në Lece kanë filluar hetimet për "trafik droge" që mesnatën e datës 18 mars 2005 kur Rojet Financiare (Guradia di Financa) të Otrantos kishte zbuluar në lokalitetin e Ortes një gomone të sapo ankoruar në breg të detit, të mbushur me karburant për rrugëtime të gjata nga e cila dy shqiptarët Gëzim Bardhaj dhe Sokol Titi që dyshoheshin si "skafistët" po shkarkonin 274 kg hashash të ndarë në 10 çanta sportive me ngjyrë të zeza. Menjëherë të dy shqiptarët janë arrestuar bashkë me sekuestrimin e kësaj sasie lënde narkotike.
EPISODI II
Më pas, më 12 shtator 2006, në kohën që në Shqipëri kishte hyrë në fuqi ligji i moratoriumit të skafeve, nga kanali i Otrantos skafistët shqiptarë sjellin në brigjet e Barit të Italisë me gomone 278.5 kg hashash e ndarë edhe kjo në 10 çanta ngjyrë të zezë. Kjo sasi droge u gjet dhe u sekuestrua nga Rojet e Financës në vendin e quajtur "Torre S. Gennaro" të Barit e sapo zbarkuar dhe fshehur në ferra shumë pak metra larg bregut të detit.
Nga përgjimet e numrave telefonikë, sipas dosjes, rezulton se "pronaret" që e kanë nisur këtë sasi droge janë të dyshuarit Fatbardh Kapllanaj dhe Mariglen Hallka, të cilët gjatë gjithë kohës komunikonin në telefon me shtetasin shqiptar rezident në Sicili Elidon Minga.
Pas sekuestrimit të kësaj sasie droge, Rojet Financiare me 13 shtator 2006 ushtrojnë kontroll në banesën e shtetasit italian Gjiliano Paskadopoli (Giuliano Pascadopoli), të cilit iu gjetën dhe sekuestruan 13.5 kg hashash e njëjtë me atë që kishte zbarkuar në brigjet e Barit.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës, rezultoi se aty banonin edhe të dyshuarit Pilo Zanaj dhe Erlis Jesku, të cilët punonin për llogari të Elidon Mingës. Me datë 16 shtator 2006 aty rreth orës 23:00 të darkës, në vendin ku Rojet Financiere kishin sekuestruar hashashin, i dyshuari Elidon Minga kishte nisur nga Sicilia tre shqiptarë për ta marrë "mallin".
Në vendin ku skafistët kishin zbarkuar hashashin, në Torre S. Gennaro, mësohet se kanë zbritur shqiptarët Pilo Zanaj, Daniel Likaj e S.L. me një furgon të tipit "Fiat Scudo" me targa "BË 311 ZY" dhe një "Peugot 307" me targa "BS 791 YA" që të transportonin hashashin për në Sicili. Kanë kontrolluar vendin dhe nuk e kanë gjetur hashashin, duke hedhur dyshime se sasia ishte vjedhur nga bashkëvendësit e tyre.
EPISODI III
Më pas nga Shqipëria, sipas dosjes, të dyshuarit Hallka dhe Kapllanaj kanë nisur dy gomone në mesnatën e datës 1 dhe 2 tetor 2006 me një sasi në total prej 807 kg hashash. Të dy gomonet janë sekuestruar nga Rojet e Financës, ku njëra me 217 kg hashash është kapur në vendin e quajtur S.Caraldo të Leçes dhe tjetra me 590 kg hashash në bord është kapur në brigjet e Barit.
Që të dy gomonet, sipas dosjes, janë nisur nga Hallka dhe Kapllanaj duke kaluar nëpërmjet kanalit të Otrantos. Gjithashtu, edhe pas sekuestrimit të kësaj sasie droge, kjo linjë trafiku ka vazhduar edhe me tre episode të tjera të "trafikut të drogës", duke dërguar në drejtim të Italisë dy herë nga 5 kg heroinë dhe në një rast 140 kg hashash, që të gjithë të sekuestruar nga Rojet e Financës në Bari dhe Leçe të shtetit fqinjë.
Operacioni "Lindja Diellit" mes katër shteteve
TIRANË- Për herë të parë në historinë e drejtësisë shqiptare, me 19 shkur 2010 është organizuar një operacion i përbashkët i prokurorive të katër shteteve, atë italian, shqiptar, belg dhe grek, duke urdhëruar arrestimin e 36 personave të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin lëndë narkotike.
Vetë kryeprokurorja Ina Rama e shoqëruar nga kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Olsian Çela dhe njëri nga dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi, zbarkuan atë ditë në Itali për të ndjekur nga afër operacionin e koduar "Lindja e Diellit" për shkatërrimin e rrjeti të trafikut të drogës me pikënisje nga Shqipëria.
Sipas deklaratës së asaj dite, mësohet se aktiviteti kriminal i kësaj bande kishte filluar që nga marsi i 2005 e deri në nëntor 2007, duke transportuar për 6 herë në drejtim të brigjeve italiane drogë të ngarkuar në gomonet e ndryshme.
Kështu, kryeprokurorja Rama, prokurori Çela dhe Nakuçi të shoqëruar nga drejtuesit e Prokurorisë së "Antimafias" së qytetit të Leçës, patën deklaruara para medieve finalizimin e këtij operacioni, për llogari të cilit janë vënë në pranga 28 persona, 8 të tjerë të shpallur në kërkim dhe 15 të shoqëruar të cilët pasi janë marrë në pyetje janë liruar për tu hetuar në gjendje të lirë.
Operacioni i 19 shkurtit 2010 pat filluar njëkohësisht në katër shtete në ora 5 të mëngjesit duke përfunduar në 10 të paradites së asaj date, me arrestimin e të dyshuarve kryesorë të këtij rrjeti të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali e Greqi dhe më pas në Belgjikë.
Sipas prokurorisë, dyshohet se heroina vinte nga vendet e lindjes dhe më pas hynte në Shqipëri nga Maqedonia ndërsa hashashi gjendej në fshatrat e jugut të Shqipërisë.
PROVAT
Aktet e procedimit penal me nr.2474/05 dhe nr.2336/05 të ardhura nga Italia
Vendimet mbi përgjimet e bisedave telefonike të bëra mes shtetasve të dyshuar tashmë të arrestuar
Vendimet e marrjes së tabulateve telefonike dhe qelizave të vendndodhjes së personave të dyshuar
Procesverbalet e sekuestros së lëndës narkotike më datën 18 mars 2005; 12 shtator 2006; 13 shtator 2006; 2 tetor 2006 dhe më pas gjatë 2007
Aktet e ekspertimit të lëndës narkotike të sekuestruar në Itali që rezultoi në 1513 kg hashash dhe 10 kg heroinë
Aktet e identifikimit të shtetasve, tashmë shumica të arrestuar
Aktet e arrestimit të këtyre shtetasve të dyshuar
Vendimi i urdhërimit të masës së sigurimit personale për të dyshuarit në Shqipëri
Transkiptet (zbardhjet) e përgjimit të bisedave telefonike mes personave në hetim që tashmë janë arrestuar
Raportet e shërbimit mbi ndjekjen e vëzhgimin e shtetasve të dyshuar në Itali dhe Shqipëri
Të arrestuar në Shqipëri
Marenglen Hallka, 33 vjeç, nga Fieri
Fatbardh Kapllanaj, 43 vjeç, nga Kanina, Vlorë
Pilo Zanaj, 28 vjeç, nga Vlora
Daniel Likaj, 23 vjeç, nga Vlora
Artur Demaj, 37 vjeç, nga Vlora.