Kontrabanda dhe trafiku, rriten masat në kufi
SHKODËR - Përvoja e viteve të kaluara ka treguar se periudhat e fluksit shfrytëzohen shpesh prej trafikantëve. Një fakt i tillë ka bërë që të merren masa për parandalimin e goditjen e trafiqeve të ndryshme që mund të zhvillohen si në kufirin e gjelbër, në pikat e kalimit kufitar që ka në qarkun e Shkodrës, si dhe parandalimi i kalimeve të paligjshme të kufirit të gjelbër me shtetin malazias. Sipas drejtorit rajonal të kufirit dhe migracionit në qarkun e Shkodrës, drejtues Besnik Zela, gjatë vitin 2008 janë evidentuar 7 raste të kontrabandës së mallrave dhe 24 raste të kontrabandës së mallrave që paguhet akcizë. Nga 7 rastet, ku në pjesë të ndryshme të vijës kufitare tokësore e ujore që lidh Shqipërinë me Malin e Zi janë kapur mallra kontrabandë, 4 kanë pasur 5 autorë, ndërsa në 3 raste autorët nuk kanë mundur të identifikohen, pasi kanë braktisur mallin dhe duke përfituar nga errësira dhe terreni janë larguar. Ndërsa për rastet e kontrabandës së mallrave të akcizës, në 12 prej tyre janë marrë masa administrative sipas Kodit Doganor. Drejtori rajonal i kufirit dhe migracionit në qarkun e Shkodrës, Besnik Zela, për gazetën “Shekulli” shton se gjatë vitit që po mbyllet nuk kanë munguar rastet e tentativave për trafiqe të ndryshme përmes vijës kufitare të këtij qarku. Kështu, nga shërbimet e policisë kufitare të qarkut Shkodër janë identifikuar një rast trafiku femrash për shfrytëzim prostitucioni, ku është ndaluar autori, tre raste trafiqesh mjetesh motorike, ku janë ndaluar 3 persona, ka pasur një rast mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe një rast dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Nga policia kufitare e Shkodrës janë ndaluar 13 persona të shpallur në kërkim, nga të cilët 11 shtetas shqiptarë dhe 2 shtetas të huaj, të cilët kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri përmes kufirit me Malin e Zi. Lidhur me praninë e aktiviteteve të paligjshme në vijën kufitare, gjatë 2008-s është identifikuar një rast trafik lëndësh narkotike, 2 raste të peshkimit të paligjshëm, si dhe janë marrë masa administrative duke gjobitur 67 shtetas, nga të cilët 69 janë shqiptarë dhe 8 të huaj. Gjashtë shtetas të huaj janë gjobitur për qëndrim të paligjshëm në Republikën e Shqipërisë, ndërsa është bërë urdhër largimi dhe për tre shtetas të huaj. Nga 167 shtetas të huaj që janë pajisur me leje qëndrimi, 64 kanë hyrë për here të parë në territorin e shtetit shqiptar dhe 45 prej tyre kanë marrë leje qëndrimi 5-vjeçar. Deri më 1 dhjetor 2008, përmes pikë kalimeve kufitare të qarkut të Shkodrës kanë hyrë 301 843 shtetas shqiptarë dhe 238 974 shtetas të huaj dhe 179 921 automjete, ndërsa kanë dalë 325 344 shtetas shqiptarë, 221 058 shtetas të huaj dhe 179 374 automjete.