Aksidentet u marrin jetën tre personave
Tri aksidente me tre persona të vdekur dhe një të plagosur rëndë kanë ndodhur gjatë 24 orëve në Tiranë. Policia tha se specialistët e hetimit të krimit kryen arrestimin në flagrancë të katër personave. Sipas policisë, u arrestua Xhoana Mata, 28 vjeçe, pasi dje rreth orës 17.45, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", duke drejtuar mjetin tip "Ford", me targë TR 2038 R, duke qarkulluar sipas drejtimit sheshi "Nënë Tereza" - Qendër, ka aksidentuar me vdekje këmbësoren 22-vjeçare Ida Kofsha, e cila po kalonte nga njëri krah në tjetrin të trotuarit. Gjithashtu, u arrestua Sulejman Muça, 56 vjeç dhe Erjon Mamushi, 23 vjeç, pasi rreth orës 18.35, në Rrugën e Kavajës, "Sulejman Muça", duke drejtuar automjetin tip "Chervolet", me targë TR 7151 I, duke qarkulluar sipas drejtimit Tiranë - Kombinat, ndërsa shtetasi Erjon Mamushi, duke drejtuar mjetin tip "Alfa Romeo", me targa TR 2339 R, me drejtim lëvizje Kombinat - Tiranë, kanë aksidentuar me vdekje këmbësorin Gjovalin Hila, 73 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia shtoi se u arrestua edhe Abdyl Haxholli, 53 vjeç. Sipas të dhënave, dje rreth orës 21.30‘ në autostradë, me drejtim lëvizje Durrës-Rrogozhinë, automjeti tip "Benz 190", me targa LU 9305 D, i drejtuar nga Ilir Myzeqari, 36 vjeç, duke qarkulluar me të njëjtin drejtim, ka goditur nga pas mjetin kamion tip "Iveko", me targa EL 3821 B, i drejtuar nga Abdyl Haxholli. Për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme, pasagjeri në mjetin "Benz", 20-vjeçari Sabit Kaja, ndërsa Ilir Myzeqari, u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.