E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet me armë, bankat paralajmërohen nga policia

 

Dashamir Biçaku

Policia e Tiranës i bën apel Bankës së Shqipërisë të ushtrojë presion tek bankat e nivelit të dytë, në mënyrë që ato të rrisin masat e sigurisë kundër grabitjeve. Drejtoria e Policisë së kryeqytetit ka kërkuar që Banka e Shqipërisë të ushtrojë presion dhe kontrolle ndaj bankave të nivelit të dytë në drejtim të forcimit të sigurisë në kuadrin teknologjik, si dhe në drejtim të kontraktimit të subjekteve private të sigurisë të specializuara në ruajtjen e institucioneve financiare, si godinat ashtu edhe transportimin e vlerave të parave. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të policisë, sipas të cilave, në fund të vitit të kaluar në adresë të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, ka mbërritur një kërkesë zyrtare nga kreu i Policisë së Tiranës, Drejtues Hamdi Fiora. Ky i fundit ka marrë shkas nga rastet e përsëritura të grabitjes me armë në filialet e disa bankave në Tiranë dhe rrethe të tjera të vendit, duke kërkuar përforcimin e masave të sigurisë në këto institucione. Burime të policisë së kryeqytetit kanë pohuar se kryepolici i Tiranës i ka shprehur shqetësim Bankës së Shqipërisë për gjendjen aktuale të sigurisë në disa filiale të bankave private. Ndër problemet kryesore që janë vërejtur nga policia, është fakti se një pjesë e mirë e sistemit të regjistrimit me kamera është cilësia e dobët dhe pamjet nuk identifikojnë grabitësit. Madje, në disa raste sistemet e vëzhgimit me kamera, sistemet e alarmit apo të sigurimit të vlerave monetare janë të një cilësie të dobët, që nuk përmbush asnjë nga elementët e kërkuar të sigurisë. Në katër raste kur efektivëve dhe specialistëve të hetimit të policisë u është dashur të analizojnë kasetat e regjistrimeve me kamera në filialet e bankave të grabitura, cilësia e tyre ka lënë për të dëshiruar. Imazhet e përfituara nga kamera të tilla, sipas policisë, ka qenë e pamundur të përdoren në cilësinë e provave penale për identifikim. Imazhet shfaqen të turbullta dhe pa shumë mundësi përpunimi. Një element tjetër, për të cilin është shfaqur shqetësim nga kryepolici i Tiranës, ka qenë sistemi i brendshëm i sigurisë dhe vendet ku janë vendosur vlerat monetare që mbajnë këto institucione financiare. Në këto raste grabitjeje paratë kanë qenë në pozicione të afërta me sportelet ku qëndrojnë grabitësit, çka lë pak kohë për shtypjen e sistemit të alarmit prej punonjësve të sigurisë. Ajo që është konsideruar si mjet parandalues në rastet e grabitjes apo vjedhjes me armë të këtyre institucioneve, është vlerësuar sigurimi i filialeve me subjekte dhe kompani të specializuara apo të licencuara për veprimtari të tilla në këtë fushë. Në mjaft raste, sipas krerëve të policisë, është vërejtur se kompanitë apo punonjësit e kontraktuar nga këto subjekte financiare të nivelit të dytë kanë qenë të paaftë për të kryer detyrën e ngarkuar, duke mbrojtur bankat nga grabitja.

Abuzimet, gati heqja e licencave
Pamundësia për të kryer detyrën nga punonjësit e sigurisë që ishin vendosur në disa banka dhe subjekte të grabitura gjatë vitit të kaluar, ka bërë që organet përkatëse të policisë së kryeqytetit të gjobisin disa administratorë të policive private. Këta të fundit, sipas burimeve zyrtare, ishin gjetur me probleme, ose mungesa e gatishmërisë nga punonjësit e sigurisë, çka është vlerësuar si një nga shkaktarët e ngjarjeve të ndodhura në filialet e bankave. Policia ka paralajmëruar subjektet deri edhe në heqjen e licencave. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›