E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapshticë, kapen 10,5 kg heroinë

SEKUESTRIMI/ Artur Hasalla nga Elbasani është vënë në pranga mëngjesin e së premtes në pikën kufitare

Vlera e drogës së sekuestruar në kufi në tregun shqiptar rezulton të jetë rreth 15 milionë lekë të reja

KORÇË- Policia në Kapshticë sekuestroi dje 10,5 kilogramë heroinë duke goditur një nga rrjetet më të mëdha të narkotrafikut. Policia kufitare në rrethin e Devollit zbuloi një nga ngarkesat më të mëdha të drogës me destinacion tregun e shtetit fqinj, ndërsa vuri në pranga një 23-vjeçar nga qyteti i Elbasanit. Mendohet se heroina, e cila ishte fshehur në një makinë me targa greke, ishte e ngarkuar në Shqipërinë e Mesme, ndërsa do të dorëzohej në qytetin grek të Selanikut.
Kontrolli
Arrestimi i Artur Hasallës, emigrantit nga Elbasani, ka ndodhur rreth orës 7:30 të mëngjesit të së premtes në pikën kufitare të Kapshticës. Duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë kufitare pranë këtij vendkalimi, mjeti i 23-vjeçarit nga Elbasani i është nënshtruar një kontrolli rutinë si për çdo mjet tjetër. Në fakt, befasia ka ndodhur kur në gomën rezervë të makinës me targa greke të emigrantit u zbulua një pjesë e ngarkesës së heroinës. Fillimisht në të janë gjetur rreth 3 kg drogë, ndërsa ngarkesa tjetër ka qenë e fshehur në një shtresë të dyfishtë të makinës. E gjithë sasia ka arritur në plot 10,5 kilogramë drogë e llojit heroinë. Menjëherë Hasallës i janë vendosur prangat në kushtet e flagrancës, ndërkohë që një grup i posaçëm specialistësh të Krimeve të Rënda kanë mbërritur nga Tirana për të hetuar për këtë rrjet, i cili mendohet të jetë ndër më të mëdhenjtë që kryejnë veprimtarinë e tyre kriminale në Shqipëri dhe Greqi.
Hetimet
Pas prangosjes së emigrantit 23-vjeçar me banim prej më shumë se tre vjetësh në Greqi, policia ka nisur hetimet. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, hetimi është shtrirë në disa qytete të Shqipërisë duke nisur fillimisht nga Elbasani, Tirana, por dhe qytete të tjera. Dyshohet se rrjeti i trafikut është shumë i gjerë, ndërsa pritet të shkojnë në pranga të paktën dhe dy persona, të cilët janë identifikuar tashmë nga policia, por identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Sipas burimeve, droga e cila grumbullohet në Shqipërinë e Mesme transportohej drejt Greqisë kryesisht nëpërmjet pikës së Kapshticës, porse shfrytëzohej dhe pika tjetër kufitare, ajo e Kakavijës. Trafikanti që ka rënë në grackën e policisë ishte nisur rreth orës 3:00 të mëngjesit nga Elbasani ndërsa dyshohet që ngarkesa e drogës të ishte sistemuar që më parë në mjet. Fillimisht u mendua se 3 kilogramët ishte e gjithë sasia e drogës që kishte me vete 23-vjeçari, por pas një kontrolli më të imtësishëm u gjetën edhe 7,5 kilogramë të tjerë, duke shënuar një nga sasitë më të mëdha të drogës të kapur gjatë 6 muajve të fundit në pikën kufitare të Kapshticës. Vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet të shkojë në treg rreth 15 milionë lekë të reja.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›