Presidenti Topi: Në 2012 hyjmë në BE
“Pas një muaji, edhe në NATO”
Topi, i ftuar në natën finale të “Sanremos”
Nga Italia, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpreh bindjen e plotë se në vitin 2012 Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Por këtij momenti historik do t’i paraprijë ai i anëtarësimit me të drejta të plota në NATO, që sipas z. Topi, do të realizohet pas 5 javësh. Kryetari i shtetit përmendi faktin se reformat politike të ndërmarra nga qeveria shqiptare japin siguri se do të hyjmë me të drejta të plota në strukturat euroatlantike. Këto deklarata, kreu u shtetit i bëri gjatë vizitës së tij në Xhenova, ku Topi zhvilloi bisedime me Presidentin e provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto. Ky i fundit vlerësoi intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, Italisë e Shqipërisë, dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në ekonomi. “Brenda 2012, Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Evropian. Reformat që po kryen vendi japin këtë siguri. Pas një muaji, Shqipëria do të hyjë me të drejta të plota në NATO. Çka do të thotë se vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike, por edhe garanton dhe të drejta për të gjithë rajonin e Ballkanit”, - theksoi Bamir Topi. “Reformat e ndërmarra politike, - vazhdoi Presidenti, - japin siguri se ditë pas dite mund të hyjmë me të gjitha të drejtat në Komunitetin Evropian. Presidenti Topi u shpreh se Shqipëria është në fazë tranzicioni, por gjasat janë pozitive dhe shqiptarët janë të sigurt në qëllimin e tyre për anëtarësimin në strukturat evropiane. Në fund të deklaratës së tij, Presidenti Topi falënderoi popullin italian për mikpritjen ndaj shqiptarëve. “Dua të falënderoj popullin italian për mikpritjen e dhënë ndaj shqiptarëve, të cilët janë integruar në jetën italiane, punojnë dhe studiojnë në këtë vend”. Presidenti Topi zhvilloi bisedime në një atmosferë të ngrohtë e miqësore me Presidentin e Provincës së Xhenovas, Alesandro Repeto, Presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, me Presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me Presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe kryetaren e Bashkisë së Xhenoas, Marta Vinçenci. Në këto takime është theksuar edhe një herë fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij. Kreu i shtetit u shpreh edhe në emër të mbarë popullit shqiptar se marrëdhëniet me Italinë janë të shkëlqyera në të gjitha fushat, si marrëdhëniet dhe shkëmbimet e vizitave në nivelet më të larta politike, ashtu edhe ato ekonomike, tregtare dhe kulturore. Duke folur për pritshmëritë e kësaj vizite në Xhenova, Presidenti Topi theksoi se këto marrëdhënie do të intensifikohen edhe më tej, sidomos me Ligurian, duke pasur parasysh afërsinë gjeografike, lidhjet e hershme historike e kulturore dhe shkëmbimet gjithnjë e në rritje ekonomike. Presidenti Topi vlerësoi angazhimin e autoriteteve të provincës së Xhenovas në integrimin dhe mbarëvajtjen e jetesës së shqiptarëve, që jetojnë e punojnë atje, duke theksuar se ata janë një urë lidhëse e fortë mes dy vendeve dhe popujve tanë. Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar zhvilloi një takim të përzemërt edhe me përfaqësues të shumtë të bashkësisë shqiptare në Itali, që jeton në Xhenova dhe në Liguria, bashkësi e cila arrin deri në 18 mijë vetë. Përfaqësuesit e kësaj bashkësie kanë biseduar gjatë me Presidentin e Republikës, duke u ndalur e duke u interesuar mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, reformat e kryera dhe arritjet e vendit tonë në proceset integruese. Mbrëmë, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, ishin të ftuar nga autoritetet më të larta të Ligurias dhe i mirënjohuri drejtues artistik, Paolo Bonolis, në Teatrin “Ariston”, për të ndjekur natën finale të Festivalit të Këngës së “Sanremos”, i cili ka mbërritur në edicionin e tij të 59-të.