Trafiku ajror, Topi anulon vizitën në Poloni
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, anulon vizitën e tij në Poloni, ku do të merrte pjese në ceremoninë për të ndjerin Leh Kazinski, i cili humbi jetën në një aksident tragjik ajror bashkë me 95 persona të tjerë. Avioni me të cilin do të udhëtonte kreu i shtetit, nuk u lejua të ngrihej nga aeroporti i Rinasit, nga autoritetet e aeroportit duke e cilësuar situatën si jo normale për udhëtime. Shkak për anulimin e udhëtimit është bërë hiri vullkanik që ka penguar me dhjetëra fluturime në mbarë Evropën. Madje burime pranë kreut të shtetit bëjnë të ditur se z. Topi do të tentojë sërish sot në orët e para të mëngjesit që të niset drejt Polonisë me shpresë të përmirësimit të situatës së trafikut ajror, por duket se kjo gjë nuk varet prej tij. Mësohet se 8 shtete kanë anuluar pjesëmarrjen në ceremoni mes të cilëve Presidenti maqedonas Ivanov, Kryeministri koreanojugor Chung Unchan, ministri i Jashtëm i Indisë, Meksikës, Egjiptit, kryeparlamentari japonez etj. Deri dje ishte konfirmuar prania e liderëve të 98 vendeve mes të cilëve Presidenti amerikan Obama, ai rus Medvedev, Presidenti francez Sarkozy, Kancelarja gjermane Merkel etj. Për shkak të hirit vullkanik hapësira ajrore polake është mbyllur prej dy ditësh, sikurse në pjesën më të madhe të vendeve të Evropës. Mijëra persona po marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore që po zhvillohet në kryeqytetin polak në nder të 96 viktimave të incidentit ajror të javës së kaluar. Presidenti polak Leh Kazinksi dhe zyrtarë të tjerë të rëndësishëm, përfshirë krerët e forcave të armatosura, ishin mes viktimave. Sirenat e makinave u ndezën në rrugët e qytetit për të sinjalizuar nisjen e ceremonisë, ndërkohë që kambanat e kishës ranë në orën kur u regjistrua aksidenti. Gjithashtu, gjatë ceremonisë kanë mbajtur fjalime figurat kyçe të politikës polake, si Kryeministri Donald Tusk, si dhe krerët e kishës polake, të cilët drejtojnë evenimentin.