E Shtunë, 31 Tetor 2026

“U bë kohë që s’jemi parë”, ekspozitë për Guri Madhin



Më 20 qershor, Forumi Europian do të çelë në qytetin e Korçës ekspozitën me titull "U bë kohë që s'jemi parë", me rastin e 20 vjetorit të ndarjes me artistin e madh të pikturës shqiptare, piktorin Guri Madhi. Ideatori dhe kuratori i ekspozitës, Fatmir Velaj ka përzgjedhur disa stacione të lëvizjes artistike të Guri Madhit, vepra që përmbushin ciklin kohor qysh kur piktori ishte në Korçë, (1936) e deri disa muaj para largimit të tij për në jetën tjetër. Guri Madhi shquhet sidomos për veprat e tij dramatike me sfond historik e politik, tablotë e betejave me origjinalitet, etj. Forumi Europian ka për qëllim që aspektet më të ndriçuara të historisë së artit dhe kulturës shqiptare t’i rizbulojë duke i ritrajtuar dhe paraqitur publikut si dhe debateve kulturore, artistike e politike në vend.
Velaj shprehet për gazetën “Albania” se “jam i bindur që arti dhe kultura luajnë një rol të rëndësishëm në procesin e europianizimit të Shqipërisë dhe në ngritjen e standarteve sociale e ekonomike”. Ai shton më tej: “Aktiviteti tjetër i këtij forumi është më 25 korrik, kur do të hapet ekspozita me fotografi e titulluar “Vjena”, në qytetin e Vlorës, si dhe më 15 gusht me hapjen e ekspozitës “Dine”, e cila vjen me rastin e 60-vjetorit të lindjes së piktorit vlonjat Agron Dine.
P.GROSI

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›