E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lidhja e Prizrenit vjen në Galerinë Kombëtare



Petrika GROSI
Një ekspozitë me 37 vepra të 21 autorëve të përzgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë është çelur dje, po në këtë institucion, për të qëndruar e hapur gjatë një jave.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në veprat e koleksionit të GKA-së në Tiranë”, kështu titullohet ekspozita në fjalë, e cila vjen në kujtim të një ngjarje kulmore për nga rëndësia historike për kombin shqiptar siç është Lidhja e Prizrenit. Ekspozita, nën patronazhin e kryeministrit Sali Berisha dhe kujdesin e veçantë të ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Ylli Pango vjen në kuadër të muajit të kulturës shqiptare. Ajo paraqet një koleksion siç thamë, të veprave më të mira në pikturë e skulpturë të artistëve shqiptarë, të fryëzuar nga momenti historik i 10 qershorit të vitit 1878, por edhe vepra me heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, i cili në shek. XIX-XX ishte personazhi kryesor i piktorëve te Rilindjes, që u bazuan kryesisht mbi veprat e piktorëve europiane dhe në gravurat gjermane të betejave të tij. Publiku do të ketë rastin të shohë edhe veprën e parë në skulpturë, bustin e heroit kombëtar të realizuar plot 91 vite më parë më 1917-n nga Murat Toptani.
Studjuesi i GKA-së, Ylli Drishti, tregon se “Piktorët shqiptarë të pasluftës së Dytë Botërore kanë trajtuar në tablotë e tyre temën historike, qoftë në gjininë e kompozimit, portretit, ashtu edhe në atë të peizazhit.” Veprat i përkasin një harku krijimtarie gati 70 vjeçar. Mes tyre do të jetë edhe tabloja e piktorit Guri Madhi “Malësori në këmbë” e vitit 1955, e cila është vepra më e hershme e pasluftës II Botërore në këtë ekspozitë. Më së shumti, deri në vitin 1969 artistët e arteve figurative shqiptare kanë trajtuar figurat e heronjve si Bajram Curri, Skënderbeu, portrete të ndryshme malësorësh e betejash, etj. Disa punë të tjera që mund të përmendim janë “Malësori” (1961) nga piktori Nexhmedin Zajmi, “Malësori” (1969) nga A.Buza,
“Portret malësori” (1958) skulpturë nga Kristaq Rama, “Gjyqi i Kryengritjes së Sinjës” (V.Kilica), “Pashko Vasa” (Z.Shoshi), “Beselidhja” (Sh.Hysa), “Kuvendi i Lidhjes Shqiptare te Prizrenit” (A..Buza) etj. Kuratori Ylli Drishti thotë për gazetën “Albania” se “Në ekspozitë janë paraqitur veprat e 21 autorëve nga të cilët 5 janë skulptorë. Kryesisht janë kompozime, portrete dhe dy peizazhe nga vende historike të Kosovës. Për vetë karakterin luftarak të kësaj lëvizjeje, ekspozita ka marrë karakter batalist. Përveç portreteve të udhëheqësve luftëtare, rilindasve frymëzues dhe mbështetës të kësaj lëvizjeje të fuqishme që më vonë (1912) solli pavarësinë e Shqipërisë, ekspozita nëpërmjet artistëve realistë shqiptarë të shek. XX shpalos vlera artistike të individualiteteve të ndryshme, artistë te njohur të kohës që trajtuan temën historike shqiptare si A.Buza, S.Shijaku, G.Madhi, K.Kodheli, H.Beqiri dhe K.Rama.”

14 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›