E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i drogës, përpjekja me trafikantët e armatosur, plagosen dy policë



Operacioni i policisë për kapjen e drogës në Vuçaj të Shkodrës

Arrestohen tre pronarët e drogës, sekuestrohen armët e zjarrit me të cilat sulmuan policinë. Sekuestrohen 7 kg e 700 gr marijuanë, pranga shtetasve Sabah, Besnik dhe Mondi Vuçaj. Prokuroria e Shkodrës nis hetimet, policët e plagosur, jashtë rrezikut për jetën

Dy efektivë policie janë plagosur lehtë dy net më parë, gjatë një përpjekjeje me disa trafikantë droge, të cilët dispononin armë zjarri. Në tentativa për të ndaluar këta shtetas, janë gjetur përballë krismave të armëve, duke u detyruar të përleshen trup më trup dhe të neutralizojnë personat e armatosur, duke mbetur vetë të plagosur. Ngjarja ndodhi në orët e vona të dy netëve më parë, ndërkohë që policia e Shkodrës arrestoi tre personat dhe sekuestroi 7 kg e 700 gramë marijuanë. Sipas burimeve zyrtare policore, në prangat e uniformave blu ranë shtetasit Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj. Sipas burimeve nga policia, në fshatin Vuçaj të rrethit Malësi e Madhe, u zhvillua një operacion, me qëllim goditjen e personave, të cilët merren me trafikimin e lëndëve narkotike. Pas informacioneve të marra u organizua një operacion në aksin rrugor Vuçaj – Bratosh. Por, sipas burimeve zyrtare policore, thirrjes së punonjësve të policisë për të ndaluar dhe dorëzuar, tre trafikantët i janë përgjigjur duke qëlluar me armë. Gjatë përpjekjes për kapjen dhe neutralizimin e tyre ku ka pasur një përleshje, u dëmtuan lehtë dy efektivë të policisë. Uniformat blu sekuestruan drogën e llojit kanabis sativa si dhe armët, automatikë kallashnikovë, me të cilët ata qëlluan agjentët.

Ngjarja

Policia e Shkodrës kishte marrë informacione për aktivitetin e këtyre personave, të cilët merreshin me “trafikun e lëndëve narkotike”. Nisur nga kjo, agjentët ndërmorën një operacion për kapjen e tyre. Efektivët e Drejtorisë Policisë Shkodër kanë organizuar shërbime policore (grackë) në aksin rrugor të fshatrave Vuçaj – Bratosh. Pas informacioneve të marra se shtetasi Gjergj Marvukaj (person në kërkim për veprën penale të plagosjes) dhe shtetasi Sabah Vuçaj transportonin lëndë narkotike të armatosur, me qëllim kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve, punonjësit e policisë, Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Pëllumb Shpati, Kreshnik Gjeçka, Besnik Shima dhe Ilmi Gjona u pozicionuan në anë të rrugës së fshatit, me qëllim kapjen e këtyre personave. Grupi i përbërë nga punonjësit e policisë, Pëllumb Shpati dhe Kreshnik Gjeçka, janë pozicionuar në fund të fshatit Vuçaj me detyrë konstatimin e mbajtjen nën vëzhgim të lëvizjeve të personave, e mjeteve që lëviznin. Ndërsa efektivat e policisë, Sejfulla Metko, Erdit Rreçeku, Erzen Cera, Besnik Shima dhe Ilmi Gjona janë pozicionuar në të dyja anët e rrugës automobilistike afër fshatit Vuçaj. Rreth orës 22:00, përgjatë rrugës së fshatit ka kaluar një person, i cili mbante në dorë një thes ngjyrë gri, në të cilin dyshohej se kishte lëndë narkotike, duke vazhduar rrugën Vuçaj–Zagorë. Punonjësit e policisë, Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona kanë vazhduar ndjekjen e këtij personi në këmbë. Pas rreth 50 metrash nga vendi ku ata po qëndronin, punonjësit e policisë, Erdit Rreceku dhe Ilmi Gjona, janë përballur me Sabah Vukajn, i cili në njërën dorë mbante një thes ngjyrë të errët. Në këtë kohë, ata i janë afruar në një distancë prej 2 metrash dhe kanë thërritur “Policia”, duke i bërë thirrje atij të ndalojë. Trafikanti kur ka dëgjuar urdhrin e policisë, iu ka drejtuar një armë zjarri automatik që e mbante me vete dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të tyre. Njëri prej efektivëve, Erdit Rreceku ka vepruar me shpejtësi, duke arritur që t’ia shmangë drejtimin e armës dhe më pas është përleshur me të. Punonjësi i policisë, Ilmi Gjona, i ka shkuar në ndihmë shokut të tij. Por, trafikanti ka kundërshtuar me forcë dhe vazhdonte të mbante shkrepur këmbëzën e armës, e cila ishte e kapur nga të gjithë këta persona.

Kjo përleshje me qëllim neutralizimin e këtij personi ka vazhduar disa metra në anën e poshtme të rrugës, ku vendi ishte me gurë dhe shkurre. Më pas, punonjësit e policisë kanë arritur t’ia heqin armën nga dora me ndihmën e punonjësve të tjerë. Por, Sabah Vuçaj, përsëri ka kundërshtuar me forcë, duke goditur punonjësit e policisë me grushte, duke kafshuar me dhëmbë një prej punonjësve të policisë dhe ka qëlluar me gurë për t’iu shmangur arrestimit. Gjatë momentit që punonjësit e policisë po përpiqeshin për neutralizimin e këtij personi, dy trafikantët e tjerë të tërhequr nga zhurmat kanë shkuar në ndihmë të tij. Ata ishin të armatosur me armë automatike të llojit kallashnikov dhe kanë qëlluar në drejtimit të punonjësve të policisë. Në këtë kohë dy prej efektivave, Sejfulla Metko e Ilmi Gjona, kanë arritur që në befasi në përleshje trup më trup t’u heqin armët nga dora këtyre personave me ndihmën e një tjetër punonjësi të policisë. Në kohën që u neutralizuan personat e mësipërm, përreth vendit të ngjarjes dëgjoheshin të shtëna armësh automatike me breshëri. U sekuestruan 7 kg e 700 gramë lëndë narkotike kanabis sativa, si dhe tre armë automatike. Policia vuri më pas në pranga tre të arrestuarit, Sabah Vuçaj, Besnik Vuçaj dhe Mondi Vuçaj. Ata u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë para gjykatës, me qëllim caktimin e masës së arrestit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›