E Diel, 1 Nëntor 2026

5 maj, zgjedhje të pjesshme në universitete



Universitetet publike do të plotësojnë vendet e paplotësuara nga zgjedhjet e janarit më 5 maj, kur do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme, të vendosura nga ministri i Arsimit

Disa nga institucionet publike të arsimit të lartë kanë nisur procesin e zgjedhjeve të pjesshme për autoritetet dhe organet drejtuese 2007- 2011. Që nga zgjedhjet që u zhvilluan në janar 2008, ka ende organe dhe autoritete drejtuese në universitete ku nuk janë zhvilluar zgjedhjet për disa arsye.

Lidhur me këtë fakt, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes një urdhri të dërguar në universitete, ka vendosur fillimin më 26 mars të procesit të pjesshëm zgjedhor për organet dhe autoritetet drejtuese për vendet e paplotësuara nga procesi i mëparshëm zgjedhor në institucionet e arsimit të lartë.

Pjesë e zgjedhjeve të pjesshme është edhe Universiteti i Tiranës (UT), ku pjesa më e madhe e organeve dhe autoriteteve drejtuese janë zgjedhur që në janar 2008, por për mjaft arsye ka ende vende të paplotësuara. Në UT është caktuar nga MASH-i që këto zgjedhje të zhvillohen më 4 maj, ndërkohë që fushata ka nisur.

“UT ka disa autoritete drejtuese në nivel përgjegjësish departamentesh, janë 10 të tillë, të paplotësuar. Mosplotësimi i këtyre posteve drejtuese ka ndodhur si pasojë e faktit që nga janari deri tani janë miratuar disa departamente të reja, por edhe kur u zhvilluan zgjedhjet një vit më parë, kandidatët e ofruar nuk i përmbushnin kriteret e përcaktuara sipas ligjit të arsimit të lartë, i cili parashikon që një drejtues departamenti, duhet të ketë titullin doktor”, - shpjegoi dje Dorina Panariti, drejtuese e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në rektoratin e UT-së.

Ky universitet ka edhe autoritete dhe organe drejtuese në nivel këshilli fakulteti të paplotësuara. Sipas Panaritit, “të tilla poste të paplotësuara janë në Fakultetin e Drejtësisë, për të cilin nuk janë zhvilluar zgjedhjet vetëm për 4 vende si dhe rastin e këshillit të Fakultetit të Mjekësisë për çështje mësimore”.

Zgjedhjet e pjesshme do të zhvillohen me të njëjtën rregullore të zgjedhjeve të vitit 2008. Senati i UT-së tashmë ka miratuar edhe përbërjen e komisionit të zgjedhjeve dhe në fakultetet me poste drejtuese të paplotësuara janë ngritur komisionet e zgjedhjeve. Aktualisht UT-ja është në pritje të kandidatëve.

Por bazuar në urdhrin e ministrit Beja janë edhe universitetet e rretheve që kanë ende poste drejtuese të paplotësuara, të cilat aktualisht po zhvillojnë fushatë për zgjedhjen e tyre. MASH-i ka vendosur që data e zhvillimit të zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, “Aleksandër Xhuvani” Elbasan dhe “Ismail Qemali” në Vlorë të jetë data 29 prill. Ndërsa në Universitetin e Tiranës, atë Politeknik, “Fan S. Noli” Korçë, “Aleksandër Moisiu” Durrës dhe Akademinë “Vojo Kushi” në Tiranë, këto zgjedhje do të zhvillohen në 4 maj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›