Trafiku i drogës, pranga Arben Lazes, presidenti i klubit të Elbasanit
Policia ka arrestuar në operacionin “Mesfushori” numrin një të klubit të futbollit, vëllanë e tij dhe dy persona të tjerë të akuzuar për trafik lëndësh narkotike
Presidenti i klubit të futbollit të Elbasanit, Arben Laze, është arrestuar nga policia për trafik droge. Së bashku me të janë vënë në pranga vëllai i numrit një të klubit sportiv, Flamur Laze dhe dy persona të tjerë. Sipas hetimeve të kryera nga ana e policisë, të katër personat ishin pjesë e një grupi kriminal, i cili merrej me trafikun e drogës. Policia kishte disa muaj që po hetonte këtë grup dhe ditën e djeshme vuri në pranga edhe tre persona të tjerë. Para dy ditësh u arrestua në Divjakë me 1 kg heroinë Shkëlzen Hyzma, i cili sipas burimeve të policisë, ishte ortak me Lazen. Të arrestuarit janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara drejtësisë. Ata akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim”. Arben Laze kishte tetë vjet që ishte presidenti i klubit sportiv të futbollit të Elbasanit.
Nën drejtimin e tij, klubi verdheblu arriti që të fitonte titullin kampion të Superligës, gjatë sezonit 2005-2006, duke iu rikthyer suksesit pas 21 vjetësh. Gjatë historisë së tij, klubi i futbollit të Elbasanit e ka fituar vetëm dy herë titullin kampion.
Arrestimi
Arrestimi i presidentit të klubit të Elbasanit u krye ditën e djeshme rreth orës 19: 30. Së bashku me të u vu në pranga edhe vëllai i tij, Flamur Laze. Presidenti i klubit verdheblu ishte duke qëndruar në lokalin e tij në Elbasan, ndërsa është organizuar operacioni i policisë për arrestimin e tij, në rrugën “Qamil Guranjaku”, 800 metra larg Drejtorisë së Policisë Elbasan. Operacioni u shtri edhe në rrethet e Fierit e të Lushnjës. Nga ana e uniformave blu u vu në pranga edhe Arben Prifti nga Fieri.
Hetimi
Sipas burimeve nga policia, kishte gati pesë muaj që kishin nisur hetimet për këtë grup, ku bënte pjesë numri një i klubit sportiv të Elbasanit dhe bashkëpunëtorët e tij. Pas arrestimit të ditës së djeshme të Shkëlzen Hyzmës, u organizua operacioni “Mesfushori” nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Të katër të arrestuarit akuzohen për veprën penalë të trafikut të lëndëve narkotike të kryer në bashkëpunim. Në ditët në vazhdim, ata pritet të dalin përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit.
Sekuestrime
Sasia prej 1.043 gramë lëndë, e dyshuar me përmbajtje narkotike, tip heroinë;
një pistoletë;
trembëdhjetë aparate telefonik celularë;
katër autovetura, tre tip “Benz Merdeces” dhe një tip “Volswagen Polo”.
Atentati
Tritoli në shtëpinë e Arben Lazes
Më 12 gusht të vitit 2006 në shtëpinë e presidentit të ekipit të Elbasanit u vunë 500 gr tritol. Nga atentati nuk pati dëme në njerëz, por vetëm panik tek banorët. Eksplozivi shkaktoi vetëm dëmtimin e dyerve të apartamentit të Lazes dhe fqinjit të tij, si dhe thyerje të xhamave në të gjithë pallatin. Familja Laze natën e shpërthimit ka qenë në katin e pestë, ndërkohë që tritoli ishte vënë në katin e katërt.