Mosplotësimi i kërkesave, 20 minatorë ngujohen 1400 metra nën tokë
BULQIZË-Minatorët e Bulqizës ndërmarrin aktin e tyre sublim, ngujohen në thellësitë e galerisë së minierës Albanian Krom. Dje në mesditë 20 nga 700 minatorët që kanë nisur protestat tri javë më parë kanë nisur grevën e urisë pa afat, duke kërkuar zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike. Pak më herët minatorët protestues në mjediset e ACR-së Bulqizë nuk kanë lejuar administratën të nisë punën e saj si zakonisht.
Greva
Është e para herë që minatorët e Bulqizës “hakmerren” ndaj administratës, e cila nuk është lejuar të nisë punën e përditshme. Komisioni organizator i protestës dhe këshilli sindikal i minatorëve e mbajtën sekret deri në orën 13.00 nisjen e protestës, duke mos lejuar askënd ta sabotojë atë. Fillimisht është hartuar lista e 20 minatorëve të ngujuar në nivelin 14 dhe më pastaj është deklaruar mbështetja nga 680 minatorët e tjerë në mjediset e ACR-së. Presidenti i Konfederatës së Sindikatave të Industrisë, Taf Koleci, tha dje për “Mapo”-n se kjo ishte zgjidhja e vetme që kishte mbetur për minatorët e Bulqizës. “Protestuam, tha ai, 15 ditë në Bulqizë dhe 5 ditë në Tiranë dhe nuk morëm një përgjigje pozitive nga ana e ACR-së. Deklaratat e kompanisë së huaj ishin konfuze. Herë na thonin keni të drejtë për kërkesat, madje fillimisht u pranua rritja e pagës 20 për qind. Më pastaj kjo u mohua dhe u tha se kjo rritje mund të realizohej 10 për qind. Ndërkaq, në “komunikatën” e fundit nuk thuhet asnjë fjalë për rritje page, por kërkohet rifillimi i punës, duke na treguar ne se miniera qenka e jona. Nëse firma e kupton se miniera është e minatorëve, duhet të ulet në bisedime dhe të zgjidhë kërkesat tona plotësisht ekonomike dhe jo politike” - deklaroi Koleci. Ai tha se nisja e grevës së urisë në kushtet e nëntokës, në një thellësi kaq të madhe, pa mundësi komunikimi dhe ajrimi, me lagështirë të madhe dhe pa mundësi shërbimi shëndetësor është një akt sublim dhe që duhet marrë në konsideratë nga firma austriake.
Deklarata
Koleci tha se tri javë më parë minatorët nisën protestat e tyre paqësore, duke kërkuar rritje page, nisjen e investimeve, sidomos në thellësitë e minierës që po plaket dhe largimin e subjekteve të palicencuara nga territori i ACR-së. Ministria e Ekonomisë largoi një subjekt privat nga territori i Albanian Krom në Bulqizë, por kjo nuk shihet si zgjidhje nga minatorët. Koleci thekson se firma e huaj nuk mund t’u imponohet minatorëve. Rritja e pagës dhe fillimi i investimeve të premtuara janë rruga e vetme që minatorët të ndalin grevën e urisë dhe të rikthehen në vendet e tyre të punës. Sipas këshillit sindikal, firma e huaj e ka tepruar kur ka kërkuar të mos ulet në bisedime me sindikalistët, por me minatorët, duke tentuar të përçajë minatorët. Lista e minatorëve të ngujuar nuk bëhet e ditur, por thuhet se policia lokale ka dërguar efektivë në hyrje të pusit dhe spitali lokal mjekë për të mbajtur nën kontroll gjendjen shëndetësore të minatorëve. P. HASA