E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i klandestinëve, 48 vjet për pesë të akuzuar

Grupi që merrej me trafikun e klandestinëve u zbulua pas disa muajsh hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.Te pandehurit kishin mundur ë trafikonin drejt Greqisë 72 persona nga qytete të ndryshme të vendit. 

TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda cilësoi fajtor dhe dënoi me 48 vjet burg, pesë të akuzuar për trafik klandestinësh. Pellumb Guri, invalid i shkallës së parë, i cilësuar si organizator i rrjetit të trafikut dhe Resul Çela, u dënuan me nga 11 vjet secili. Dy të pandehurit, Bardhi Proda dhe Irfan Dalipaj u dënuan me nga 10 vjet secili, ndërsa Nino Tushe me 6 vjet. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, të pandehurit përfitojnë ulje të një të tretës së kësaj mase dënimi. Grupi që merrej me trafikun e klandestinëve u zbulua pas disa muajsh hetime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Prokurori Ardian Nezha arriti të provonte para Gjykatës se, pikërisht këta të pandehur kishin mundur që të trafikonin drejt Greqisë plot 72 persona nga qytete të ndryshme të vendit. Nga hetimet rezultoi se klandestinët paguanin shumën prej 1500 eurosh për të kaluar matanë kufirit, fillimisht në Greqi e më pas në vende të tjera të Europës. Transporti i klandestinëve kryhej me mjete të ndryshme, mbi bazën e pagesave të caktuara nga organizatorët. Nga hetimet u zbulua se dy të pandehurit, Proda e Dalipaj merreshin me mbledhjen e sa më shumë klientëve, të cilët ishin të gatshëm të paguanin çfarëdo shume parash për të kaluar matanë kufirit, ku shumicën prej tyre i prisnin familjarët apo të afërmit e tyre. Për të provuar fajësinë e të pandehurve, prokurori Nezha solli para gjykatës mjaft prova, si përgjime dhe filmime. Në fjalën e tij të fundit, ai kërkoi dënimin e të pandehurve me masa dënimi nga 6-11 vite, kërkesë e cila u miratua nga Gjykata.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›