E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i kokainës, bllokohen në Tiranë dy llogari me 500 mijë euro

Dy llogari bankare me vlerë 500 mijë euro në total janë sekuestruar nga prokuroria, pasi rezultojnë se ato para janë përfituar nga trafiku i kokainës. Bëhet fjalë për llogaritë e dy personave nga Kavaja, babë e bir, ku njëri është shpallur në kërkim, ndërsa tjetri është i arrestuar në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Ervin Dakoli rezulton se është i arrestuar në Itali prej dy vitesh, si kreu i një rrjeti trafikantësh, ndërsa babai i tij, që është posedues i llogarisë tjetër bankare është shpallur në kërkim policor.
Sekuestrimi i llogarive bankare ka ardhur pas një shkëmbimi informacioni mes drejtësisë shqiptare dhe asaj italiane. Sipas të dhënave hetimore, pikërisht më 18 maj të vitit 2007, një grup i trafikut të kokainës, prej nëntë personash, mes të cilëve pesë shqiptarë, tre italianë dhe një maroken është shkatërruar nga policia italiane. Shqiptarët e arrestuar ishin Ervin Dakoli dhe Naim Qari, 28 dhe 43 vjeç, të cilët, sipas hetimeve të policisë, rezultojnë të jenë krerët e bandës, si dhe Roland Bramka, 27 vjeç, Rogert Meculi, 24 vjeç dhe Petrit Kasa, 46 vjeç. Gjithashtu, në pranga kanë rënë edhe tre italianët Moreno Lotto, Bruno Derro dhe Roço Morra. Ndërsa anëtari i nëntë i bandës është marokeni Mohamed Chatoui, 41 vjeç. Pas operacionit, policia ka kryer dhjetëra kontrolle në banesat e të arrestuarve nga Veneto deri në zonën e Lombardisë, pikërisht në Vicenza, Padova, Verona, Rovigo e Mantova. Në harkun kohor të vetëm pesë muajve të vitit 2007, banda e kryesuar nga Dakoli, kishte arritur të trafikonte rreth 30 kg kokainë. Hetimet për këtë grup trafikantësh kishin filluar në vitin 2006, pas prangosjes së një shqiptari nga Kavaja, të cilit iu gjet më se gjysme kg kokainë. Pasi i është verifikuar lista e telefonatave, policia ra në gjurmët e një grupi shqiptarësh, të cilët ishin të gjithë kushërinj me njëri-tjetrin, me origjinë nga Kavaja dhe Durrësi.
Por, hetimi nuk përfundoi me kaq. Pas marrjes së një sërë informacionesh, policia italiane arriti të identifikojë edhe llogaritë bankare të të arrestuarve, sidomos kreut të rrjetit, Ervin Dakoli. Sipas të dhënave policore, ai i kishte transferuar paratë në një bankë në Shqipëri. Kështu, prokuroria italiane, nëpërmjet një letër-porosie, kërkoi informacion dhe bashkëpunim me homologët në Shqipëri. Pak kohë më parë, hetimet për këtë çështje nisën edhe nga Prokuroria për Krime të Rënda dhe Departamenti i Hetimit të Krimeve. Nga këto hetime u identifikuan dy llogari bankare, në të cilat ishin kryer transaksione në shuma të mëdha. Policia shpjegon se dy llogaritë i përkasin Ymer Dakolit, 64 vjeç, dhe djalit të tij 30-vjeçar, të arrestuar në Itali. Sipas të dhënave, në to ishin kryer transaksione përkatësisht në shuma prej 34 milionë e 671 mijë lekë dhe 20 mijë euro. Të gjitha këto para ishin deklaruar si të ardhura nga emigracioni. Por, sipas dokumentimit të dosjes penale, ato dyshohet se rrjedhin nga veprimtari kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Për këtë, është bërë bllokimi i llogarive bankare, ndërkohë që është shpallur në kërkim Ymer Dakoli. Grupi hetimor nuk ka dhënë detaje të tjera, në lidhje me aktivitetin kriminal të trafikut të kokainës, nëse ishte i shtrirë edhe në Shqipëri, apo i përqendruar vetëm në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›