Sherri për barin, dy të vrarë dhe dy të plagosur
Sherri për barin e bahçes të ngrënë nga delet rreth një vit e gjysmë më parë ka sjellë një tragjedi në një familje në qytetin e Lezhës. Nga të shtënat me automatik ka mbetur i vdekur një person, është plagosur djali dhe kushëriri i tij, ndërsa gruaja e viktimës i ka dhënë fund jetës, kur ka mësuar lajmin për të shoqin dhe të birin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Grykë-Manati dhe ka mbetur i vrarë Gjon Përvathi, 50 vjeç, i cili në muajin maj të vitit 2008, bëri luftë me policinë dhe nuk pranoi të dorëzohet pas një konflikti që kishte pasur me fqinjin. Në atë kohë u desh ndërhyrja e RENEA-s, pasi Përvathi kishte marrë peng djalin dhe kërcënonte se do e vriste. Për këtë, ai u dënua dhe sapo ishte liruar nga burgu, por fqinji nuk e ka harruar inatin e vjetër e për këtë është hakmarrë dje. Rreth orës 15:00 të ditës së djeshme, Ndue Lekgjonaj e ka parë Përvathin, duke u kthyer në banesë, bashkë me kushëririn e tij, Gjergj Përvathi. Në atë kohë, pikërisht në rrugën e vjetër Lezhë-Laç, sapo del nga qyteti, në vendin e quajtur Grykë-Manati, Lekgjonaj ka qëlluar me breshëri ndaj tyre. Si pasojë ka mbetur i vdekur Gjon Përvathi dhe është plagosur rëndë kushëriri i tij. Në atë kohë, djali 14-vjeçar i Gjonit, Danieli, është afruar në vendin e ngjarjes dhe ka tentuar ta ndalojë vrasësin e babait, i cili po tentonte të arratisej me mjetin e tij. Por, autori ka rritur shpejtësinë e mjetit dhe e ka plagosur rëndë edhe 14-vjeçarin, duke e përplasur me makinë. Sipas të dhënave policore, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është shpallur në kërkim dhe deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është mundësuar kapja e tij. Ndërkaq, tragjedia nuk ka mbaruar me kaq. Gruaja e viktimës, Martine Përvathi, 47 vjeçe, kur ka dëgjuar lajmin e kobshëm, ka pirë një sasi helmi me qëllim për t‘i dhënë fund jetës. Ajo e ka kryer këtë veprim në prezencë të motrës së saj, pasi ka menduar se ka mbetur i vrarë edhe djali dhe ka vendosur të vetëflijohet. Të njohurit e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës, por ajo ka ndërruar jetë dy orë më vonë.
Ble. Gi.
Ble. Gi.