Trafiku i lëndëve narkotike, pranga shqiptares, iu gjetën në banesë 13.5 kg heroinë
Një 32 vjeçare shqiptare është arrestuar në Itali pasi në apartamentin e saj u gjet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike. Mësohet se Anila Y. ishte nën hetim prej dy muajsh pas shumë sinjalizimesh të cilat bënin të ditur se 32-vjeçarja përdorte Fast Food-e në sheshin Duca D’Aosta për të pritur klientët të cilëve u shiste drogën. Mësohet se gruaja ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë, ndërsa shpërndanin drogë jo vetëm në Milano por në të gjithë Lombardinë. Sipas burimeve të policisë italianë trafiku i heroinës rrotullohej në dhjetëra kilogramëve në muaj. Pas kontrollit të banesës së 32-vjeçares, u zbuluan 13.5 kg heroinë, 5 kg drogë ende e papërcaktuar dhe mjete për prerjen dhe paketimin e lëndës narkotike. Gruaja shqiptare ishte e pajisur me dokumente të rregullta pasi rezulton e martuar me një shtetas italian. Gjatë momentit të arrestimit 32-vjeçarja ishte në shoqërinë e dy shqiptarëve të tjerë. Policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse ata janë të implikuar në rrjetin e drogës. Në një tjetër operacion policia italiane ka arrestuar 11 persona po për trafik droge dy nga të cilët janë shqiptarë. Karabinierët e Veronës në Itali kanë shkatërruar një bandë ndëretnike e dedikuar trafikut të lëndëve narkotike. Në pranga të policisë kanë rënë 8 shtetas italianë, një turk dhe 2 shqiptarë. Operacioni është fryt i një hetimi që nisi në janar të 2008 pas arrestimit të një korrieri droge i cili u ndalua me një sasi të madhe heroine. Grupi i hetuesve zbuluan se heroina vinte në Itali nga Shqipëria. Hetimet janë kryer dhe me mbështetjen e përgjimeve telefonike, 12 të tilla, të cilat kanë bërë të mundur që policia të sekuestrojë mbi 5 kg heroinë.
11 Qershor 2009