Trafiku i makinave; Lufta e policisë ndaj “luksit” në rrugë
Shqiptarëve u pëlqejnë makinat e bukura. Mjafton të shikosh rrugët e Tiranës, ku parakalojnë çdo ditë “krijesat” më të fundit të firmave automobilistike më të njohura të botës, të gjitha pronë e shoferëve “të pasur” Shqipërisë. Për “syrin shqiptar”, një “BMW X5”, “Audi Q7”, “Mercedes Benz Class ML”, “Porche”, “Ferrari” apo çfarëdolloj tipi tjetër makine të prodhuara në dy vitet e fundit, që shëtit në vend, janë gjëja më normale. Madje, asnjeri nuk ndikohet nga xhirot e tyre ditore, përveç madhështisë dhe zilisë që krijon një mrekulli e tillë, teksa kalon në rrugët e realitetit shqiptar.
Edhe pse mund të duket disi paradoksale, vendi ynë për nga “luksi” që tregon në rrugë, mund të krahasohet me kryeqytetet e botës, si dhe me qytetet e pasura të sheikëve arabë. E vërtetë. Për çdo të huaj që viziton Tiranën, përshtypja që i krijohet, pasi bën “xhiron” e parë në kryeqytetin shqiptar, janë ngrohtësia e banorëve dhe makinat e bukura. Një tregues ky, që në pamje të parë të jep edhe gjykimin e gabuar për “statusin ekonomik” të shoferëve të rinj.
Por, ndërsa kjo është njëra anë e medaljes, fakti tjetër është që pjesa e madhe e “luksit rrugor” në Shqipëri është e trafikuar. Trendi më i fundit për qytetarët e vendit është të pasurit e më të mirës nga jeta. Dhe “sfilata automobilistike” në rrugë tregon më së miri se dashuria jonë për makinat është nga dëshirat tona të para.
Një problem gjithmonë e më shqetësues në vitet e fundit për Policinë e Shtetit është lulëzimi i trafikut të makinave në vend. Edhe pse tashmë ka filluar lufta ndaj këtij fenomeni, duhet ende punë për të arritur t’i vësh fre një sipërmarrjeje të mirorganizuar. Uniformat blu nga viti në vit po perfeksionojnë masat e marra ndaj trafikut të makinave luksoze, dhe kanë rritur bashkëpunimin me strukturat e huaja policore. Megjithatë, kundërshtarë kanë një rrjet të mirorganizuar, ku përdoren skema tepër efektive, që në shumicën e rasteve arrijnë që të realizojnë punën e tyre.
Rrugët e trafikimit
Shqipëria është një prej destinacioneve të makinave të trafikuara. Me gjithë përpjekjet për të ndalur këtë fenomen, sërish në territorin shqiptar arrihen që të futen makinat luksoze. Ka disa rrugë për realizimin e kësaj. Burime zyrtare të Policisë së Shtetit shprehen se “rrugët e trafikimit janë të ndryshme, si nëpër pikat e kalimit kufitar, ashtu edhe nga kufiri i gjelbër. Nga ana e policisë janë bllokuar disa automjete luksoze, si në pikat e kalimit kufitar, ashtu edhe në kufirin e gjelbër. Një nga pikat e kalimit kufitar, Muriqani, ka bllokuar vetëm gjatë këtij viti 4 automjete që janë trafikuar në drejtim të Shqipërisë dhe në pranga të policisë kanë rënë disa shtetas, madje shumica e tyre, shtetas të huaj. Gjithashtu, edhe në kufirin e gjelbër me Greqinë nëpër rrugët rurale është vënë re një fenomen i tillë, ku trafikantët kanë tentuar të fusin makinat për në Shqipëri”. Në disa raste janë vetë pronarët, të cilët i sjellin këto makina në Shqipëri, ku i shesin, duke përfituar shpërblimin nga kompanitë e sigurimit, si dhe të ardhurat nga shitja e mjetit.
Makinat “e preferuara” nga trafikantët.
“Preja” e preferuar e trafikantëve duket se janë prodhimet më të fundit të automjeteve. Kështu, nga tipat më të shpeshta të makinave të sekuestruara nga policia, janë prodhimet e “Mercedes Benz”, BMW dhe “Audi Q7”. Në aksionin e fundit të bërë nga policia me emrin e operacionit të koduar “Shtator 2008”, janë bllokuar rreth 60 automjete, të gjitha këto luksoze dhe prodhimet e viteve të fundit si 2006, 2007, 2008. Madje, dy prej tyre ishin prodhime jashtë serie. Në makinat e trafikuara dominonte tip “Benz Mercedes”, si fuoristradë, ashtu edhe autoveturë. Por nuk mbetej mbrapa as BMW me prodhimet e saj të fundit apo “Audi Q7”.
Dëmet nga trafiku
Në shumicën e rasteve makinat e reja të trafikuara, të cilat përdoren në Shqipëri, arrijnë që të lëvizin në vend, me anë të dokumenteve të falsifikuara. Kjo do të thotë që ndaj shtetit shqiptar të shkaktohet edhe një dëm i konsiderueshëm nga ana financiare, që ndikon në ekonominë e varfër të shqiptarëve. Për çdo makinë "luksoze" të trafikuar, dogana humbet mesatarisht 1 milion lekë, çka përveç një krimi, shënon edhe një dëm për ekonominë e varfër të shqiptarëve. Kjo, pasi nuk kryhet zhdoganimi i këtyre makinave, si edhe nuk paguhen taksat e përcaktuara nga shteti.
Lufta ndaj trafikut
Policia e Shtetit ka disa vjet që lufton këtë fenomen, mjaft të përhapur në të gjithë rajonin e Ballkanit. Nisur nga kjo, ndihmë ka pasur edhe nga strukturat policore të Interpolit dhe Europolit. Burime zyrtare policore shprehen se “numri i makinave të trafikuara nuk është shumë i madh, pasi masat e marra nga Policia e Shtetit, si dhe kompjuterizimi i pikave të kalimit kufitar ka bërë që ky numër të ulet ndjeshëm. Të gjitha pikat e kalimit kufitar janë të lidhura “online” me qendrën e Interpolit në Francë dhe mund të kontrollojnë shumë lehtë makinat që janë të vjedhura. Mjafton vetëm një kërkim 30 sekonda dhe përgjigjja vjen automatikisht”. Për më tepër që edhe masat ndaj këtij fenomeni vijnë nga dita në ditë duke u përmirësuar. Sipas Policisë së Shtetit, “masat e marra deri tani, por edhe në vazhdim për të bllokuar makinat e trafikuara dhe për të vënë nën përgjegjësi penale personat që trafikojnë, po vijnë duke u përmirësuar. Kjo jo vetëm për një profesionalizim të stafit, por edhe të mjeteve që kemi në dispozicion. Lidhja “online” me qendrën e Interpolit në Francë, mundëson një luftë të suksesshme ndaj trafikantëve të makinave. Çdo ditë verifikohen mbi 10 makina që dyshohen se janë të trafikuara”.