E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vidhen varret 2000-vjeçare të Apolonisë

14/07/2009  Persona të paidentifikuar kanë gërmuar për relike, të cilat do t’i shisnin. Policia nis hetimet

FIER- Vidhen një pjesë e varreve të lashta të nekropolit të qytetit antik të Apolonisë në Fier. Ka qenë pikërisht nata e mbrëmshme ajo që ka shënuar dëmtimin e varreve të vjetër dhe grabitjen e tyre, duke shkaktuar një dëm ekonomik dhe kulturor të konsiderueshëm.

Ngjarja

Përgjegjësit e parkut arkeologjik të Apolonisë pohojnë se një gjë e tillë bëhet për përfitime materiale nga ana e dëmtuesve, duke shituar objektet e vjedhura.

Ka qenë pasmesnata kur roja i parkut antik të Apolonisë ka ndjerë lëvizje përreth gërmimeve të gjetjes së varreve të faraonëve. Duke qenë se errësira nuk i jepte mundësinë e të parit apo të evidentimit të personave që mund të ishin aty, roja ka preferuar të sinjalizonte policinë. Kjo e fundit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, por në të njëjtën kohë mësohet të jenë larguar edhe “vizitorët” e natës. Sipas policisë mësohet se janë dhunuar, por nuk janë arritur të grabiten varret antike me moshë 2000-vjeçare që quhen ndryshe edhe si varret e Faraoneve. Tuma 2 mijëvjeçare që ndodhet në kodrën e Radostinës është një nga tumat më të mëdha në Ballkan, pohoi drejtori i parkut arkeologjik Haxhimihali. Një fakt i tillë është konstatuar dhe nga arkeologët që janë në dijeni të plotë për ato që janë zbuluar dhe ekzistojnë në realitet në gërmimet e tyre. Burimet nga policia e Fierit theksojnë gjithashtu se kanë qenë persona të panjohur numri i të cilëve fatkeqësisht nuk është vënë re nga roja, të cilët kanë dhunuar varret e vjetra në përpjekje për të grabitur prej tyre relike të shtrenjta për t’i shitur ato më pas.

Tentativa e vjedhjes është bërë faktike dhe nga arkeologët, të cilët janë shprehur se kanë vërejtur ditën e hënë disa gërmime klandestine, të cilat kanë pasur për qëllim grabitjen. Arkeologu Arjan Dimo shpjegon se: “Qëllimi kryesor i këtyre gërmimeve kanë synimin që këta persona të përfitojnë objekte të ndryshme për t’i shitur dhe për të fituar lekë nga këto objekte të trashëgimisë kulturore, të cilat janë pasuria e gjithë kombit dhe jo vetëm e fierakëve”. Sipas arkeologëve, varret e Apolonisë janë varre të thjeshta dhe nuk përmbajnë elemente të tillë që të jenë lakmia e grabitësve. Ky është i dyti rast i dhunimit të varreve të Apolonisë. Një tjetër rast i ngjashëm u shënua edhe një vit më parë. Ndërkohë ka pasur dhe vendosje zjarresh të qëllimshme. Ne kemi lajmëruar policinë dhe ajo ka kryer veprimet procedurale në vendngjarje. Këto gërmime kanë pasur si qëllim përfitimin material nga individë të caktuar për t’i shitur dhe më pas për t’i kthyer në vlera monetare, këto pasuri të trashëgimisë kombëtare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›