E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ari Han premton: Do të hakmerremi me Hungarinë

 

Jetmir Halilaj

Barazimi me Maltën ka zhgënjyer shumë publikun shqiptar, por jo trajnerin e Kombëtares, holandezin Ari Han. Për teknikun, barazimi pa gola me Maltën është një mësim i mirë për skuadrën, por edhe një motiv për të nxjerrë më të mirën në takimin e radhës kundër Hungarisë që luhet më 28 mars në “Qemal Stafa”.  Ndeshja është e vlefshme për Grupin 1 eliminator për kampionatin botëror “Afrika e Jugut 2010”. “Kemi një ekip shumë të mirë, por kundër Maltës patëm mungesa të ndjeshme. Llogaritë tona dolën të gabuara, meqë përfundimi nuk ishte ai që dëshiruam, - ka thënë Ari Han në një intervistë për ‘Kohën Ditore’ të dielën. - Pas ndeshjes kam biseduar me futbollistët dhe kuptova se kanë qenë shumë të lodhur. Ishte e qartë se shumica e lojtarëve me ekipet e tyre ishin në fazën përgatitore, para fillimit të kampionateve dhe kjo ndikoi negativisht”, ka shtuar Han. Holandezi ka paralajmëruar përfaqësuesen e Hungarisë se do të hakmerret për humbjen 2-0, të vetmen që kuqezinjtë kanë pësuar në pesë ndeshje. “Gjithmonë luajmë për fitore, ndërsa kundër Hungarisë qëllimi ynë është i padiskutueshëm: vetëm fitorja. Duhet të marrin hakun për humbjen e vetme që na kanë shkaktuar në këtë cikël, - ka vijuar Han. - Malta është një kapitull i mbyllur tashmë. Kundër Hungarisë do të jemi të kompletuar dhe të motivuar për fitore. Një fitore kundër Hungarisë është e domosdoshme pas barazimit me Maltën jo vetëm për renditjen, por edhe për moralin e skuadrës”. Trajneri i Kombëtares kundër Maltës nuk kishte në fushë mesfushorët Altin Lala e Lorik Cana si dhe gardianin Arjan Beqaj, që të tre të dëmtuar. Megjithatë, për tifozët shqiptarë këto mungesa nuk mund të përdoren si pretekst për të justifikuar barazimin me Maltën dhe për më tepër lojën mediokre që zhvilluan kuqezinjtë. Gati të gjithë ekspertët dhe mediat e kanë cilësuar të turpshëm barazimin me Maltën. Fajtori kryesor është cilësuar pikërisht tekniku holandez, për më tepër që kundër një skuadre thuajse amatore kishte aplikuar lojë mbrojtëse. Ndryshe nga kritika publike, Han ka gjetur mbështetje nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët për shkak kontratës që kanë me Hanin, nuk mund ta zëvendësojnë para se të mbyllet cikli eliminator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›