Tragjedi hekurudhore në Spanjë, përplasen dy trena! Të paktën 30 të vdekur dhe mbi 170 të plagosur
Një aksident i rëndë hekurudhor është kthyer në tragjedi në Spanjë, ku përplasja e dy trenave me shpejtësi të lartë ka shkaktuar të paktën 30 viktima dhe mbi 170 të plagosur, sipas bilancit paraprak.

Aksidenti ndodhi në provincën e Toledos, ku një tren i shpejtësisë së lartë AVE u përplas me një tren të kompanisë Iryo, i cili ndodhej i ndaluar në shina.
Sipas të dhënave paraprake, treni AVE goditi nga pas trenin e kompanisë Iryo, duke shkaktuar daljen nga shinat të dy vagonëve të këtij të fundit. Disa prej të plagosurve ndodhen në gjendje kritike për jetën.
🔴ÚLTIMA HORA | Accidente ferroviario en la línea de alta velocidad entre Los Yébenes y Urda.
Al parecer en el accidente estarían implicados un tren AVE de Renfe y uno de Iryo.
Lo contamos en https://t.co/2A3tQBLvV0 https://t.co/3ygGNbwKoK
— Capital Radio (@capitalradiob) October 28, 2026
Qindra pasagjerë në dy trenat
Sipas informacioneve të publikuara, treni i kompanisë Iryo transportonte 147 pasagjerë, ndërsa në trenin tjetër ndodheshin 397 persona.
Të dy trenat kryenin udhëtime drejt ose nga qyteti i Seviljes.
Sipas gazetës spanjolle El País, aksidenti ndodhi pak pas orës 09:00 me orën lokale, në zonën mes qyteteve Los Yébenes dhe Urda, në provincën e Toledos.
Ekipet e emergjencës janë angazhuar për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve, për të evakuuar pasagjerët dhe për të siguruar zonën e aksidentit.
Kryeministri spanjoll: Jam i tronditur nga tragjedia
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, reagoi pas aksidentit, duke shprehur tronditjen për ngjarjen e rëndë dhe solidaritetin me viktimat dhe familjarët e tyre.
Përmes një mesazhi në rrjetin social X, ai deklaroi se shërbimet e emergjencës po punojnë në vendngjarje për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Ndërkohë, kryetari i bashkisë së qytetit të afërt të Urdës, Manuel Galán, bëri të ditur se shërbimet e ndihmës së shpejtë i kishin kërkuar bashkisë të përgatiste ambiente emergjence, përfshirë një qendër sportive, për të pritur pasagjerët dhe të plagosurit.
Një tjetër aksident i rëndë hekurudhor në Spanjë
Tragjedia vjen rreth nëntë muaj pas një tjetër aksidenti të rëndë hekurudhor, në të cilin humbën jetën 46 persona.
Aksidenti i janarit ndodhi pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, kur një tren doli nga shinat dhe u përplas me një tjetër tren.
Ngjarja e atëhershme nxiti debat në Spanjë lidhur me investimet për mirëmbajtjen e infrastrukturës hekurudhore dhe sigurinë e transportit me tren.
Shkaqet e aksidentit të fundit pranë Toledos mbeten për t’u përcaktuar nga hetimet, ndërsa bilanci i viktimave dhe i të plagosurve mund të ndryshojë në vijim.