Dy aksidente, dy të plagosur
Dy aksidente të tjera kanë ndodhur pasditen e djeshme në Durrës. Një grua 37-vjeçare është në gjendje të rëndë, pas përplasjes nga një automjet ende i paidentifikuar, ndërsa një i moshuar ka shpëtuar për mrekulli në një tjetër ngjarje rrugore. Pas aksidentit tragjik rreth orës 03.00 të mëngjesit në superstradë, pasditen e së dielës, rreth orës 18.00, aty ku unaza e Durrësit del në rrugën hyrëse të qytetit, një automjet ka aksidentuar shtetasen Nasibe Bala, 37 vjeçe, që ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Vetëm pak minuta para kësaj ngjarjeje, inspektorët e qarkullimit rrugor kishin ndaluar të riun Arbër Çaushi, 19 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin me targë MK0127 A aksidentoi Myzafer Kurtin, 82 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht dhënia me shpejtësi tej normave të lejuara, konsumimi i pijeve alkoolike dhe mospërqendrimi në drejtimin e mjetit, janë kthyer në burim aksidentesh tragjike në këtë sezon të ngarkuar.