E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tragjedi, nënë e bir vdesin poshtë kamionit

14/12/2004  

ELBASAN/ Nëna nxitoi të kapte fëmijën që i shpëtoi nga dora

ELBASAN – Nënë e bir, kanë vdekur nën rrotat e një kamioni me tulla, duke përgjakur dje aksin rrugor Elbasan–Peqin. Aksidenti i rëndë ka ndodhur dje në mesditë, kur Burbuqe Hasalla, 27 vjeçe dhe djali i saj, Lonis Hasalla, 3 vjeç, nuk kanë mundur t’i shpëtojnë përplasjes me kamionin, teksa dilnin nga shtëpia.

Sipas poicisë së qarkullimit rruor, mësohet se ka qenë fëmija 3-vjeçar që i ka shpëtuar nënës nga duart dhe ka rendur në rrugë. Menjëherë pas tij ka vrapuar Burbuqja dhe në tentativë për të ndalur djalin, janë përplasur të dy për vdekje në asfalt nga një kamion. Kamioni, me targa KJ 1311 A, ka tentuar të devijojë, por nuk ka mundur dhe pasojat kanë qenë fatale. Aksidenti i rëndë ka ndodhur përpara syve të familjarëve, ndërsa drejtuesi i automjetit ka ikur me vrap, duke u fshehur nga frika e hakmarrjes së mundshme të tyre.

Familja Hasalla e ka përjetuar mjaft rëndë këtë tragjedi, e cila mori dy jetë. Babai dhe bashkëshorti, i djalit dhe gruas, Saimiri ishte dëshmitar i ngjarjes dhe pa t’i vdesin njëkohësisht dy njerëzit e tij më të dashur.

Fatkeqësia ka bërë që banorët të trokasin të gjithë në shtëpinë e sapondërtuar të çiftit Hasalla, të cilët, pas disa sakrificave në emigracion kishin bërë të mundur ndërtimin e një banesë të re poshtë rrugës, ndërsa kishin bërë edhe mobilimin e saj.

Burime të policisë lokale bënë të ditur pas këqyrjes së vendit të ngjarjs, se shkak i aksidentit ka qenë ndërperja e menjëhershme dhe e papritur e rrugës nga viktimat. Nga ana e saj, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit, Ilirian Kadiu, 52 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë.

Banesat afër rrugës kanë qenë shpesh problem në qarkullimin rrugor, ku si rezultat i mungesës së sinjalisitkës, dhe mungesës së mbikalimeve në këtë aks, numri i aksidenteve sa vjen edhe rritet.

Ky aks rrugor në ndërtim është mjaft afër shtëpive në Papër dhe, si pasojë, fëmijët e banorëve të tyre janë në një rrezik të paralajmëruar për aksidentet.

Shembulli i keq i dy viktimave të një dite më parë ka bërë që policia rrugore të vërë në diskutim kontrollin në akse të tilla dhe vënien e një patrulle për të disiplinuar shpejtësinë.

Precedenti

BERAT – Të shunën, një aksident i ngjashëm me atë të ndodhur dje në Elbasan, i mori jetën një fëmije 5-vjeçar në Berat. Në aksin rrugor Ura Vajgurore-Berat, në vendin e quajtur Ura e Hanit, u aksidentua për vdekje Xhuliana Toska, fëmija 5-vjeçare, e cila sapo kishte zbritur nga autobusi dhe i kishte ikur nga duart nënës së saj, Razie. Në këtë moment, një autoveturë tip “Volsvagen”, e drejtuar nga oficeri i policisë, Julian Gjinpalaj, banor i qytetit të Kuçovës, e përplasi atë për vdekje në asfalt.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›