Berisha sfidon Ramën: “PD-ja, miting madhështor më 8 dhjetor”
Eljona Ballhysa
Demokratët po përgatiten për një miting madhështor në Tiranë, që do të mbahet më 8 dhjetor. Në vend të dialogut me Partinë Socialiste, demokratët ofrojnë një antimiting. Këtë e njoftoi dje kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Grupit Parlamentar. Duke e cilësuar protestën e PS-së të dështuar dhe që sipas tij “përfundoi në Lanë”, Berisha u shpreh se më 8 dhjetor i gjithë vendi do të festojë rënien e “Murit të Berlinit në Shqipëri” në një miting madhështor ku sipas tij do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Në një kohë kur socialistët, pas një proteste treditore poshtë zyrës së kryeministrit Berisha, kanë dhënë vetëm 10 ditë afat për zgjidhjen e krizës politike, kreu i Ekzekutivit njofton zhvillimin e një mitingu madhështor.
Deklarata
“Axhenda tjetër është festë. Këtë vit Europa dhe bota festoi 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Shqipëria nuk e kishte 20-vjetor, por 19-vjetor, sepse te ne, rrëzimi i ‘Murit të Berlinit’ ndodhi një vit më vonë, për arsye se klika në pushtet ishte e tipit më të egër, më barbare, më mizore. Kështu që 8 dhjetori do të jetë festa e shembjes së ‘Murit të Berlinit’ në Tiranë. Ajo do të jetë një festë e madhe, një festë në të cilën do të marrë pjesë e gjithë Shqipëria. Do të jetë një festë për Europën, për aspiratën tonë europiane, e cila mori më 16 nëntor të këtij viti thirrjen e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Vendimi i 16 nëntorit është vendimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE”, - është shprehur Berisha. Ai ka risjellë në kujtesë lëvizjet e dhjetorit në Shqipëri. “Në rast se rikthehemi pas, te vitet ’90, kur ‘Murin e Berlinit’ në Tiranë e rrëzuan mijëra e mijëra djem e vajza të rinj që u futën në ambasada, vërehet se e vërteta është që nomenklatura e atëhershme ia doli ta rivendosë atë. Në memorien e kombit mbetet i paharruar mitingu i organizuar për të dënuar heronjtë e vërtetë të asaj lëvizjeje liberatore. Por, kjo ishte e përkohshme, sepse Murin do ta fshihnin nga faqja e dheut studentët e universitetit të Tiranës në dhjetor të vitit ’90, më 8 dhjetor, të cilët, me demonstratat e tyre të fuqishme do të sillnin shembjen përfundimtare të ‘Murit të Berlinit’ dhe do të hidhnin në koshin e plehrave të historisë, përmes një procesi demokratik, udhëheqjen staliniste të asaj kohe.
Mund të tingëllojë si joreale përpjekja për rikthimin e ‘Murit të Berlinit’, por faktet i kthyen ato përpjekje dhe vetëm ato muaj, në kufijtë e Shqipërisë janë vrarë me dhjetëra e qindra të rinj për fajin e vetëm se kërkonin të dilnin në botën e lirë”, - është shprehur Berisha. Ndërsa më 8 dhjetor, sipas tij, Shqipëria do të festojë si vend anëtar i NATO-s dhe si vend që aspiron statusin e vendit kandidat në BE. “Ne festojmë me krenari, si vend anëtar i NATO-s. Kjo është festa e parë që i gjen shqiptarët dhe Shqipërinë me idealin euroatlantik të realizuar. Pasi shembëm ‘Murin e Berlinit’, historia na dha mundësi që të shndërrojmë në realitet këtë ëndërr të madhe. Kjo ndodhi për faktin e thjeshtë se ne besonim realisht tek kjo ëndërr dhe ne e realizuam atë. Kështu që ky 8 dhjetor, idealin europian, idealin euroatlantik, e gjen më të fuqishëm se kurrë në Shqipëri. Ndaj do të jetë një festë e madhe, një festë e cila synon jo vetëm nderimin për atë që është bërë dhe për atë që është arritur, por më shumë nxisim horizontin e ri që duhet të kapim deri më 28 qershor të vitit 2013, në të cilin shqiptarët, me sa duket, do të votojnë edhe njëherë për këtë maxhorancë”, - është shprehur Berisha, ndërsa ka ironizuar festën e PS-së, duke e cilësuar përpjekjen e saj për bllokimin, sipas tij, të procesit të vizave, të humbur në Lanë. “Me këtë rast, dua t’i siguroj qytetarët shqiptarë se të gjitha përpjekjet për ta bllokuar këtë proces përfunduan në lumin Lanë, i mori Lana. Procesi po ecën në mënyrë të shkëlqyer”, - është shprehur kreu i qeverisë.
24 Nentor 2009