E Diel, 1 Nëntor 2026

Meshkujt dhe femrat shqiptare martohen në moshë të vonë



Emanuela Sako

Të rinjtë shqiptarë preferojnë të martohen në një moshë më të vonë. Studimi i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë bën të ditur se mosha mesatare e martesës për femrat dhe meshkujt në vendin tonë është rritur gjatë viteve të fundit. Sipas studimit, mosha mesatare e martesës tek femrat është 23.5 vjeç. Ndërsa mosha mesatare e martesës së meshkujve është 28.1 vjeç. Kjo rritje ka ardhur si rezultat i disa faktorëve që lidhen me ndryshimin e stilit të jetesës pas viteve ’90, si niveli i arsimimit, ndryshimi i mentalitetit, zgjedhja e lirë e individëve etj. Në raport me këtë zhvillim ka ndryshuar edhe mosha e lindjes së fëmijëve. Mosha mesatare e lindshmërisë së femrave është 25.5 vjeç deri në 29 vjeç.
Ndryshimet
Specialistët e MSH-SË bëjnë të ditur se ndryshimet në mënyrën e jetesës dhe ndryshimi ekonomik, kanë bërë që femrat dhe meshkujt të kenë sjellje të ndryshme nga ato para viteve ’90. Para këtyre viteve të rinjtë martoheshin në një moshë më të vogël. Sipas studimit të bërë nga autoritetet shëndetësore deri në vitet 2000, mosha mesatare e martesës u bë 22.6 vjeç për femrat dhe 27.2 vjeç për meshkujt. Ndërkohë që të dhënat e fundit të vitit 2008 tregojnë një rritje të re të mesatares së martesës. Specialistët e MSH-së shprehen se rritja e moshës së martesës ka bërë që të ketë lindshmëri më të ulët të fëmijëve. Kështu, sipas këtij studimit, mesatarja e lindshmërisë për një çift është 1.5 fëmijë.
Mosha
Mosha mesatare e popullsisë është 32.5 vjeç, ku 32.1 vjeç është për meshkujt dhe 33 vjeç për femrat. Mosha mesatare e popullsisë ka pësuar një rritje të dukshme pas viteve ’90, çka tregon se tendencat janë gjithmonë e më shumë drejt rritjes. Popullsia shqiptare deri pak kohë më parë u cilësua si një popullsi me moshë të re, por, të dhënat e fundit të specialistëve të shëndetësisë dhe INSTAT, tregojnë se mosha mesatare e popullsisë po vjen duke u rritur me ritme të shpejta. Sipas tyre kjo tregon se popullsia shqiptare po shkon drejt plakjes. Sipas një studimi të Ministrisë së Shëndetësisë, shkaqet e rritjes së moshës mesatare të popullsisë në vend, janë ulja e numrit të lindjeve, vdekshmëria foshnjore, emigracioni i theksuar pas viteve ’90 etj.
Duke iu referuar statistikave të INSTAT, faktorët kryesorë të rritjes së popullsisë konsiderohen tre si më kryesorët: vdekshmëria foshnjore, emigracioni relativisht i lartë dhe rënia e vazhdueshme e numrit të lindjeve. Nga vitet ’90 deri në 2001, mosha mesatare e popullsisë është 29 vjeç ndërsa tani është 32 vjeç. Nga 82 mijë lindje që ishin në vitin 1990, në fund të vitit 2007 numri i tyre arriti në rreth 33 mijë duke shënuar një rënie prej 60 %.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›