Patozi: “Rama po kërkon të përmbysë themelet e demokracisë”
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka reaguar dje në lidhje me ultimatumin i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Kryetari i deputetëve demokratë, Astrit Patozi, u shpreh se Rama, nëpërmjet ultimatumit të tij, përpiqet të shembë themelet e demokracisë. “Rama i dha dje një ultimatum 10-ditor qeverisë dhe maxhorancës së dalë nga zgjedhjet me certifikim planetar të 28 qershorit, të cilat përmbushën standardet kryesore të OSBE/ODIHR-it dhe për të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim rezultati apo numërim të parregullt. Sipas zotit Rama, në rast se maxhoranca nuk pranon diktatin dhe kërcënimin e tij për rinumërim të votave, qeveria do të përmbyset me dhunën e rrugës. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e denoncon ultimatumin e zotit Rama, me të cilin ai po kërkon të përmbysë themelet e sistemit demokratik, duke e konsideruar atë një akt sa qesharak, aq edhe domethënës”, - deklaroi Patozi. Sipas tij, për deputetët e Partisë Demokratike, motivet e këtij kërcënimi janë fare të qarta. “Për të arritur deri këtu, zoti Rama është frymëzuar nga familja e tij historike dhe ideologjike, ati i tij shpirtëror, Enver Hoxha, daja dhe babai i vet biologjik, Spiro Koleka dhe Kristaq Rama. Por ky ultimatum inspirohet gjithashtu edhe nga familja e tij mafioze e Don Gramozit, Kokëdhimës dhe të tjerë si ata. Kjo thirrje për të përmbysur me forcë rendin kushtetues dëshmon se ky pinjoll i diktaturës komuniste dhe njëkohësisht bos i familjes më të rrezikshme mafioze të vendit po kërkon dhunojë vullnetin e shqiptarëve e shprehur me zgjedhje të lira më 28 qershor”, - tha më tej Patozi. “Ne i themi kryetarit të Partisë Socialiste se me dhunë dhe me ultimatume ke vetëm një rrugë: të firmosësh fundin e turpshëm dhe të pashmangshëm politik, për vete dhe për frymëzuesit e tu”, - përfundoi Patozi.
24 Nentor 2009