E Diel, 1 Nëntor 2026

Shefat e pavijoneve infektojnë mjekët, braktiset qendra e konsultave, vizitat në pavijone

Drejtoria e QSUT, asnjë masë penalizmi ndaj mjekëve që shkelin rregulloren


Shefat e shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza duket sikur e kanë braktisur prej kohësh konsultën. Edhe pse radhët e qytetarëve nga i gjithë vendi janë të panumërta mjekët është tejet e vështirë ti gjesh në zyrat e tyre për të

kryer ekzaminimet përkatëse. Në lidhje me këtë edhe pse ankesat e pacientëve janë të mëdha aq sa ato kanë mbërritur edhe në zyrat e drejtorisë sërish për mjekët e shefat e shërbimit nuk është marrë asnjë masë paraprake. Në këtë aspekt kreu i QSUT-së  Ilir Dashi duket se është dorëzuar përpara bluzave të bardha e për më tepër nga vetë shefat e shërbimit të cilëve edhe pse i ka mbledhur disa herë në takime të ndryshme nuk ka mundur tu tërheqë vëmendjen për mungesat e vonesat e pajustifikueshme në konsultë. Sipas pacientëve, mjekët nuk shkojnë në Qendrën e Konsultave në orarin e caktuar duke i lënë kështu qytetarët që në të shumtën e rasteve vijnë nga qytete të ndryshme, të presin me orë dhe ditë të tëra. Në këto raste vetë mjekët jo vetëm që janë krejtësisht indiferentë ndaj orareve të vizitave ndaj pacientëve, por janë moskokëçarës edhe ndaj rregulloreve dhe urdhrave të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza". Kështu mjafton të kalosh në Qendrën e Konsultave të QSUT-së dhe aty do të shohësh vetëm radhë pacientësh, ndërsa mjekët e reparteve të ndryshme i kanë dyert e mbyllura megjithëse duhej të ishin në konsulta me pacientët. Këtë fakt e pohojnë edhe burime konfidenciale pranë konsultës. Këto burime theksojnë faktin se vonesat janë pothuajse të përditshme, dhe pacientët në shumë raste kanë humbur edhe durimin duke u acaruar për pritjen me orë të gjata të mjekut specialist. Në një vëzhgim të kryer ditën e djeshme nga gazeta SOT vetë pacientët pohojnë se edh në rastet kur i sëmuri nuk mund të qëndrojë dot në këmbë për shkak të sëmundjes sërish ai është i detyruar  të presë mjekun me orë të tëra.


Precedenti
Por ky fakt duket më i parëndësishmi për vetë shefat e mjekët e shërbimit të cilët jo vetëm që shkelin orarin sa herë të duan, por nuk marrin mundimin as të lajmërojnë pacientët që të mos i presin. "Kam ardhur nga Dibra që në orën 8 të mëngjesit dhe tani është ora 12 dhe mjeku ende nuk ka ardhur që të më vizitojë", pohon pacienti D. Skara,  i cili ishte në Qendrën e Konsultave. Sipas tij,  kjo është e patolerueshme dhe aspak humane pasi mjekët janë tepër indiferentë ndaj punës së tyre dhe të dëmtuarit në këtë mes janë pacientët. Por fatin e tij e kanë edhe dhjetëra pacientë të tjerë, të cilët në të shumtën e kohës bllokojnë korridorin në Qendrën e Konsultave, në pritje të bluzave të bardha. Më me fat duket se janë ata pacientë që kanë mundur të zënë një vend në ato pak stola që ndodhen pranë kësaj qendre, me shpresën që mjekët do të vijnë t'i vizitojnë. Ndërkohë orari i vizitave në këtë qendër është i shkruar shumë qartë, ku mjekët duhet të jenë në konsulta gjatë paradites e deri në orën 14.00. "Në fakt tani po shkon ora 13.00 dhe deri tani nuk ka ardhur mjeku që të na vizitojë. Kjo duket që ka të bëjë pikërisht me neglizhencën dhe papërgjegjshmërinë që kanë mjekët ndaj pacientëve", pohoi njëri nga pacientët. Ndërkohë duket se më kapriçiozët ndaj braktisjes së pacientëve në konsultë janë sidomos shefat e shërbimit pasi ata janë krejtësisht neglizhentë ndaj orareve duke i lënë pacientët të presin me orë të tëra, madje në shumë raste edhe me ditë të tëra, vetëm për të kryer një vizitë.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›