Arsimimi në burg, 146 të dënuar kërkesë për t’u shkolluar
Megjithëse ndodhen brenda hekurave të burgut, 146 të dënuar kanë shprehur kërkesë për t’u arsimuar. Të interesuarit i përkasin ciklit të parë dhe të dytë të arsimit 9-vjeçar. Në bazë të memorandumit të nënshkruar, midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Drejtësisë, për arsimimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), MASH-i ka marrë përsipër realizimin e të gjithë anës pedagogjike të procesit mësimor, duke përfshirë vënien në dispozicion të mësuesve, pajisjen me mjete mësimore si dhe përgatitjen e programeve specifike për procesin mësimor. Nga ana e saj, Ministria e Drejtësisë ka marrë përsipër sigurimin e kushteve, klasave të përshtatshme dhe të gjithë infrastrukturës së nevojshme, sigurimin e transportit të mësuesve, kur këto institucione ndodhen larg nga qendrat e banuara, shërbim psikologjik dhe social për procesin e mësimdhënies. Mësuesit që do të japin mësim në këto institucione do të jenë të autorizuar nga Ministria e Drejtësisë, sipas kërkesave të Drejtorive Arsimore përkatëse. Me mbarimin e klasës apo shkollës, i dënuari do të përfitojë dokumentin përkatës, certifikatë apo diplomë, i cili është i njëvlefshëm me ato të përfituar nga shkolla të të njëjtit nivel jashtë institucionit. Memorandumi i bashkëpunimit “Shans i dytë të burgosurve për t’u arsimuar”, midis Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Drejtësisë, e ka nisur konkretizimin me çeljen e shkollës së parë 9-vjeçare penitenciare në Peqin. Aktualisht, në këtë shkollë janë duke ndjekur procesin mësimor 44 të dënuar. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, po punon për fillimin e procesit mësimor edhe në katër institucione të tjera të vuajtjes së dënimit, në Burrel, ku kanë shprehur dëshirën për t’u arsimuar 13 persona, në Fushë-Krujë 34 persona, në Rrogozhinë 18 persona dhe në Korçë 31 persona. Deri në nënshkrimin e memorandumit një vit më parë, procesi mësimor zhvillohej në mënyrë joformale nga sektorët e edukimit në IEVP dhe ishin të organizuar në formën e kurseve kundër analfabetizmit. Në bazë të këtij Memorandumi, të gjithë shtetasve të dënuar që shprehin dëshirën për t’u arsimuar u jepet një shans i dytë në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP).
4 Mars 2009