E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia e Butrintit, një i pandehur kërkon psikiatër

 

SARANDE / SHPRESA DINE

Një prej personave të akuzuar për trafikun klandestin që shkaktoi tragjedinë e Butrintit pohon para gjykatës se ka probleme psikike. Hyqmet Sollaku, i arrestuar tetorin e shkuar, pasi u mbyten në liqen 5 klandestinë, kërkoi transferimin për mjekim në një spital. Në seancën e katërt të dosjes së Butrintit, procesi nuk ka nisur ende zyrtarisht, për shkak të kërkesave të ndryshme. Gjatë ditës së djeshme ishte i pandehuri Sollaku që bëri kërkesën për shtyrje, me pretendimin se paraqet probleme psikologjike. Trupi gjykues i kryesuar nga Enkeleda Doda, vendosi shtyrjen sërish të seancës në ngarkim të të pandehurve, Brahim Madhi, Albert Gega, Hyqmet Sollaku dhe Dashamir Mane, të akuzuar për veprën penale, “dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, me qëllim përfitimi në bashkëpunim me pasojë vdekje”. Në seancën që zgjati rreth 30 minuta, ku i pranishëm ishte vetëm Mane, trupi gjykues vendosi ta shtyjë procesin. Ai është shprehur me shkrim përpara Autoritetit të Drejtorisë së Paraburgimit Sarandë, se kishte probleme psikologjike. Lidhur me këtë fakt, prokurori i çështjes, Platin Aliçka, ka kërkuar jo vetëm pranimin e kërkesës për shtyrje të seancës, por edhe pezullimin e afateve të paraburgimit ndaj Sollakut: mosllogaritjen e ditëve të qëndrimit në dënimin përfundimtar. Këtë kërkesë prokurori Aliçka e ka arsyetuar me faktin se kërkesa e të pandehurit nuk është bërë pas ekzaminimit nga mjeku specialist, por vetëm pas konstatimit të drejtorit të paraburgimit. Kjo ka ngjallur debate në sallën e gjyqit, pasi dhe avokatët e tjerë të pranishëm kanë mbrojtur të pandehurin, duke thënë se nuk duhej të bëhej pezullimi i afateve të paraburgimit. Kërkesën për mospranim të pezullimit ata e kanë arsyetuar, duke thënë se i pandehuri nuk ka mundësi të gjejë një mjek specialit në kushtet e izolimit dhe se këtë duhet ta sigurojë Drejtoria e Burgjeve. Për Sollakun është kërkuar nisja e tij për mjekim më të specializuar pranë spitalit Psikiatrik ose në Spitalin e Burgjeve. Kjo ishte seanca e katërt gjyqësore që shtyhet pas dorëzimit në gjykatë të dosjes në muajin maj. Katër të pandehurit akuzohen si autorë të dyshuar të tragjedisë së Butrintit, ku u mbytën 5 shtetas në tentativë për të kaluar ilegalisht kufirin më 19 tetor të vitit të kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›