Rrahu nënë e bijë, pranga 32-vjeçarit
DEVOLL - Dhunoi në mes të fshatit nënë e bijë, pranga 32-vjeçarit. Policia e Devollit bëri të ditur se është arrestuar në flagrancë Pandi Bogdani nga fshati Tren i këtij rrethi. Ai është denoncuar nga shtetasja L. Spaho, 46 vjeçe, nga fshati Progër. Sipas dëshmisë së saj, i riu kishte rrahur në mes të fshatit atë bashkë me vajzën e saj 20-vjeçare. Për pasojë, ato kishin pësuar edhe plagë. Ngjarja sipas policisë ka ndodhur rreth orës 18:00 të së dielës pranë një lokali në qendër të këtij fshati. Konflikti ndërmjet Bogdanit dhe 46–vjeçares kishin ardhur pasi kjo e fundit i kishte folur atij ashpër duke e akuzuar se i kishte ngacmuar të bijën. Por fjalët e saj duket se e kanë fyer 32–vjeçarin derisa ai ka ushtruar dhunë ndaj tyre. Policia mbërriti në vend pas sinjalizimit të gruas dhe arrestoi Bogdanin, duke e akuzuar atë për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”. j.gj