Tragjedia e Gërdecit:Minxholli: Përgjegjëse për shpërthimin, edhe kompania SAC
Drejtori i punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxholli, ka përfshirë si përgjegjëse për shpërthimin e ndodhur në mars, ku humbën jetën 26 persona, edhe kompaninë amerikane SAC. Në dëshminë e dhënë në Gjykatën e Tiranës në seancën e radhës të mbajtur ditën e djeshme, ai u shpreh se drejtuesi i kompanisë SAC, Patrik Henri, ka qenë në Shqipëri, ku dhe është interesuar për kontenierët me barut në punishte. “Një ditë para tragjedisë së Gërdecit, Patrik Henri ka qenë në Shqipëri, na takoi mua dhe Mihal Delijorgjin dhe së bashku kemi firmosur një kontratë për të vijuar punën”, - u shpreh ai.
Pak ditë më parë, Henri kishte dërguar një deklaratë në gjykatë, ku paraqiste pozitën e tij dhe ku tregonte se nuk kishte dijeni për aktivitetin që kryhej në punishte dhe se ai nuk kishte qenë asnjëherë në Shqipëri. Por Minxholli paraqiti një tjetër realitet me dëshminë e dhënë ditën e djeshme. Ai u shpreh se Henri kishte qenë në Shqipëri, në fillim të marsit, në datat 7 dhe 8 mars. “Henri ka qenë në Shqipëri në fillim të marsit. Ai ka qenë në fabrikë, ku dhe bëri kontrolle në kontenierët e barutit. Në shkurt ne kishim larguar disa kontenierë të ngarkuar me barut dhe po bënim gati të tjerë për t’i eksportuar. Ato do të niseshin nga porti i Durrësit me anë të një anijeje izraelite të marrë me qira”, - tregoi ai. Dëshmia e drejtorit të punimeve në fabrikën e Gërdecit vazhdon me deklaratën e tij për ardhjen e bosit të SAC, një ditë para shpërthimit. Kjo tregohet edhe nëpërmjet faturës së firmosur në një hotel në Vorë. Sipas dëshmisë, Delijorgji dhe Henri firmosën një kontratë në zyrën e Presidentit të “Albdemil”, për të vazhduar biznesin midis dy kompanive.
Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, dëshmuan edhe pesë punëtorë të fabrikës së vdekjes. Një prej punëtorëve, Haxhi Hoxha u shpreh se karroca mori flakë sapo ra në kontakt me barutin. Ai tha përpara gjykatës se nuk mbante mend emrin e personit, i cili solli karrocën sërish brenda ambienteve të punës. “Në karrocë nuk ishte hedhur barut, ndërkohë që ajo mori flakë në kontaktin e parë me barutin”, - tha ai.
Për shkak të dëshmive të kundërta për sa i përket shkakut të nisjes së flakëve, Gjykata e Tiranës vendosi që të hënën në orën 11 të rikthehen sërish oficerë të Policisë Gjyqësore, së bashku me avokatët, për të kryer një riinspektim të vendit të ngjarjes e materialeve të gjetura. Në procesin e Gërdecit janë të akuzuar 29 persona. Në shpërthimin tragjik humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.