Ruli: Prodhuesve të ullirit, tokë me koncesion pas investimeve serioze
Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, z. Genc Ruli, ka vizituar dje një nga stabilimentet më të mëdha të prodhimit te vajit të ullirit në Shqipëri “Agrotal”, të certifikuar me standardet ISO dhe HACCP. Duke vlerësuar investimin e kryer, ministri Ruli theksoi se “kemi të bëjmë me një industri të standardeve moderne, më e mira jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga të paktat në Evropë. Këtë investim do ta quaja pararendës të programit të madh te ullirit, që është përcaktuar në Strategjinë e Zhvillimit Bujqësor për katër-pesë vitet që vijnë, që do të katër-pesëfishojë mbjelljen e ullirit në Shqipëri. Kjo industri moderne, jo vetëm kërkon prodhim sasior, por edhe cilësor, që ka të bëjë me kualitetin e fermës dhe skemat tona të mbështetjes, për të nxitur sidomos mbjelljen e ullirit, duke aplikuar sistemin e ujitjes me pika. Investime të tilla iu paraprijnë modeleve të bujqësisë shqiptare. Për të garantuar zinxhirin e investimit të bërë, kjo kompani do të marrë me koncesion një sipërfaqe prej 1000 ha tokë për kultivimin e ullirit. Këto skema ne duhet t’i nxisim dhe mbështesim, me qëllim që pas një dekade, bujqësia jonë të jetë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”. 6.5 milionë dollarë është vlera e investimit për ndërtimin e fabrikës së prodhimit të vajit të ullirit natyral, ndërtuar në fshatin Varosh të Komunës së Ndroqit në rrethin e Tiranës. Ajo ka një sipërfaqe prej 4000 m katrorë dhe një kapacitet përpunues prej 17.5 ton ullinj në orë, ose 25.000 ton ullinj për sezon.