E Shtunë, 31 Tetor 2026

Déjà Vu

Ora 10. lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti nuk shfaqet në Gjykatën e Qarkut, ku duhet të mbahet procesi gjyqësor kundër tij. Pas disa minutash pritje, kryetari i trupit gjykues lëshon urdhër arrest për Kurtin. Policia e Kosovës vjen e arreston Kurtin në banesën e tij në Ulpianë dhe e sjellin me dhunë në gjykatë.

Albin Kurti nuk ka pranuar avokatin mbrojtës, Ramiz Krasniqin, i caktuar nga Gjykata. Përveç kësaj, Kurti hedh poshtë të gjitha akuzat që janë ngritur ndaj tij. Ai madje akuzon trupin gjykues se EULEX-i po del në mbrojtje të UNMIK-ut, ku policët e saj kishin vrarë dy protestues më 10 shkurt 2007. Më pas kryetari i trupit gjykues cakton një muaj paraburgim për Kurtin, për të siguruar praninë e tij gjatë seancave gjyqësore.

Kështu mund të jetë lajmi që do të publikohet më 16 shkurt, vetëm një ditë pasi do të mbahet procesi gjyqësor ndaj Albin Kurtit.

Në këtë proces nuk ka risi. Aktakuza mbetet e njëjtë, gjyqtari ndërkombëtar dhe i akuzuari Albin Kurti. Rifillimi i procesit nga EULEX-i ndaj Kurtit është reprizë e atij të udhëhequr nga prokurorë dhe gjyqtarë të UNMIK-ut vite më parë.

Por, me një ndryshim të vogël. Duket se procesi që do të fillojë me 15 shkurt, do të ketë një përfundim, por ende nuk dihet se a do të jetë në favor të Kurtit.

Për vetë Albin Kurtin, kjo ka pak rëndësi. “Nuk kam kurrfarë informacionesh për këtë proces. Me të tregu drejtë, as që po merrem me të. Pyete Glaukun”, thotë Kurti për Express.

E krejt çka di Glauk Konjufca, nga Lëviza Vetëvendosje është që ky proces është i motivuar politikisht. “Na e shohim krejtësisht si proces politik, aq më tepër që kemi të bëjmë me një proces gjyqësor, ku ngjarja është krejtësisht e qartë. Dihen protagonistët, përgjegjësit, fajtorët, dihet kush ka pësuar”, shton ai.

Konjufca thotë se jorastësisht ka rifilluar me procesin gjyqësor kundër Albin Kurtit në këtë periudhë, ku vërehet një zgjim i qytetarëve. E kjo, sipas tij, nuk u konvenon aspak politikane kosovarë, aq më pak atyre ndërkombëtarë.

“Këta synojnë që të vetmin potencial organizativ ta sulmojnë. UNMIK-u e ka bërë krimin, por krimineli nuk ka mundur ta mbrojë krimin vetë se u diskreditua shumë, tash EULEX-i e ka marrë këtë çështje”, vlerëson ai.

Edhe Behxhet Shala, drejtor i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, nuk ka kurrfarë dileme. Procesi kundër Albin Kurtit është kryekëput politik. Sipas tij, në vend se të paktën të merret me kriminelet dhe politikanët e korruptuar, EULEX-i po merret me njerëz që nuk kanë pikë fajësie.

“Në Kosovë po ndodhin shumë krime, në Kosovë krimi i organizuar është shumë i fuqishëm, korrupsioni është bërë mënyrë e jetesës për shumë politikanë. Askush nuk
merret me ta, por merren me udhëheqës dhe një lëvizje, e cila ka pësuar gjatë protestave. Askush nga institucionet nuk ka reaguar ndaj këtij procesi”, thotë Shala.

Ai procesin gjyqësor ndaj Albin Kurtit e cilëson si gjykim kundër shprehjes së lirë dhe kundër të drejtës për protestë. “Albinin këta nuk munden me e dënu, sepse nuk ka asnjë bazë ligjore m’e dënu, por këta duke organizuar kësi procesi, e zhvendosin vëmendjen nga problemet e tjera”, shton Shala.

Ndërsa, avokati i caktuar nga Gjykata, Ramiz Krasniqi, të cilin Kurti nuk e pranon si avokat mbrojtës, me gjysmë goje thotë se Albin Kurti është i pafajshëm. Krasniqi ende nuk e ka takuar Kurtin. Atij nuk i ngutet shumë, beson se në ditën e gjykimit, ai do ta shohë Kurtin ose me hatër, ose me zor.

“Ata i kanë mundësitë e veta m’e pru, unë nuk e di se çka bëjnë. Unë jam vetëm avokat zyrtar dhe do të paraqitem në seancë. Çështjen e fajësisë e cakton gjykata, por unë mendoj se nuk ka faj, edhe nuk është dashtë as me akuzu”, shton Krasniqi.

Ndërkohë, Arianit Koci, avokat, tregon për procedurat që gjykata mund të ndjekë nëse i akuzuari nuk paraqitet në gjykatë.

“Kodi i Procedurës Penale i Kosovës, neni 341 parasheh që kur i akuzuari i thirrur me rregull nuk paraqitet në shqyrtim gjyqësor dhe nuk e arsyeton mungesën, kryetari i trupit gjykues për të akuzuarin lëshon urdhër arresti. Urdhërarrestin e ekzekuton policia”, shton ai.

Koci thotë se në rastet kur trupi gjyqësor sheh se i pandehuri i shmanget shqyrtimit gjyqësor, ai mund të caktojë paraburgim për një muaj. Gjatë kësaj kohe duhet të përfundojë procesi. Por ekziston edhe një mundësi tjetër, që i pandehuri të futet në arrest shtëpiak.

Por, për Albin Kurtin kjo ka pak rëndësi. Ai i njeh të dy format, edhe të paraburgimit, edhe të arrestimit shtëpiak. Për, të 15 shkurti do të jetë vetëm një Déjà Vu e një procesi të lënë në gjysmë nga UNMIK-u.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›